Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Aktgjykimi në fuqi, Dehari shkelës i konfirmuar, Kushtetuesja kërkon vazhdimin e seancës dhe që VV t’i bëjë numrat e të mos bllokojë

18/08/2025 - 17:46
në Lajme
A A
Aktgjykimi në fuqi, Dehari shkelës i konfirmuar, Kushtetuesja kërkon vazhdimin e seancës dhe që VV t’i bëjë numrat e të mos bllokojë
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

10 ditë pasi njoftoi se ka marrë vendim në lidhje me bllokadën në Kuvendin e Kosovës, Gjykata Kushtetuese e publikoi të plotë aktgjykimin. Ai s’prodhoi ndonjë befasi ndryshe nga njoftimi dhe ishte në frymë të plotë me të. Deputeti më i vjetër, Avni Dehari, u nxor shkelës i Kushtetutës me këmbënguljen, të cytur nga partia e tij, për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Për të këputur zvarritjen e konstituimit në këtë stil nga Vetëvendosje, Kushtetuesja urdhëroi votim të hapur dhe jo më shumë se tri herë të propozohet emri i njëjtë. Krejt kjo duhet të bëhet për 30 ditë nga sot.

Gazeta Express

Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot më 18 gusht aktgjykimin e plotë rreth bllokadës në Kuvendin e Kosovës. Aktgjykimi u publikua në Gazetën Zyrtare dhe nga sot tashmë është në fuqi. Lënda ishte dorëzuar më 3 dhe 4 korrik nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së, të cilët në vazhdimësi kanë akuzuar kryesuesin e seancës se po bën shkelje me hedhjen në votim për disa seanca radhazi të Komisionit për votim të fshehtë.

Këtë e konfirmoi Kushtetuesja, e cila e gjeti ‘fajtor’ Deharin për moskonstituimin e Kuvendit gjatë 30 ditëve që gjykata ia dha afat për të përfunduar konstituimin e Kuvendit përmes një aktgjykimi të nxjerrë në qershor.

Gjykata tha se kryesuesi i seancës tejkaloi kompetencat e tij, ndërsa tha se rendi i ditës i dakorduar mes grupeve parlamentare nuk bën të ndërrohet pas nisjes së seancës konstituive.

“Në vijim të elaborimit, Gjykata vëren se në seancat e mbajtura për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30 (tridhjetë) ditor pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit në rastin KO124/25, përkatësisht nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 nuk është arritur që të votohet kandidati/tja për Kryetar të Kuvendit. Për pasojë, Gjykata vlerëson që veprimet e përsëritura të Kryesuesit për të zhvilluar dhe bashkërenduar mbajtjen e Seancës Konstituive në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO124/25, përbëjnë tejkalim të kompetencave formale dhe solemne të ndërlidhura me rendin e ditës së Seancës Konstituive, e cila njëherësh ka pasur për pasojë moskonstituimin e Kuvendit sipas përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës”, thuhet në pikën 126 të aktgjykimit.

Ndërkaq, në pikën 117, gjykata e thotë prerazi se respektimi i rendit të ditës të dakorduar është detyrim kushtetues.

“Thënë këtë, Gjykata tashmë ka konstatuar që rendi i ditës i Seancës Konstituive sipas paragrafit 4 të nenit 8 të Kreut IV të Rregullores së Kuvendit është akt formal, përmes të cilit në mënyrë taksative janë përcaktuar pikat e rendit të ditës, për konstituimin e Kuvendit. Si i tillë, rendi i ditës i Seancës Konstituive, në frymën e neneve 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës përfaqëson një detyrim kushtetues për deputetët e zgjedhur të Kuvendit në përfundimin e Seancës Konstituive me realizmin e të gjitha pikave të rendit të ditës për konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Ashtu siç është theksuar në Aktgjykimin e saj në rastin KO124/25, Gjykata sërish nënvizon që Kreu IV (Konstituimi i Kuvendit) i Rregullores së Kuvendit nuk përmban asnjë referencë në nenet 53 (Ndryshimi i rendit të ditës) dhe 57 (Mocionet procedurale), si dhe as në nenin 122 (Interpretimi i Rregullores së Kuvendit) (shih, paragrafin 176 të Aktgjykimit në rastin KO124/25)”.

Në pikën pasuese, 118, gjykata tha se posaçërisht pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit të qershorit, Dehari, në përmbushjen e detyrës si drejtues i punimeve të Seancës Konstituive dhe në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit me të gjithë deputetët e zgjedhur ka pasur për detyrim zbatimin e konstatimeve të gjykatës në qershor, të cilat në mënyrë të qartë dhe të saktë përcaktonin detyrimet e tij dhe të të gjithë deputetëve për përfundimin e Seancës Konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Çka duhet të bëjë tash Dehari?

Në pikën 160, Gjykata Kushtetuese tashmë ka detyruar atë të dalë nga qëndrimi i tij këmbëngulës dhe të ftojë partinë e tij, si subjekti më i madh parlamentar, që të propozojë emrin e kandidatit apo kandidates për postin e kryeparlamentarit. Por, këtë herë Vetëvendosje nuk do të mund të rezistojë në pafundësi me të njëjtin emër meqë ka vetëm tri herë në dispozicion për ta hedhur në votim emrin e njëjtë. Dhe për ta bërë këtë do të ketë kohë 30 ditë.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi”, obligoi Kushtetuesja.

Vetëvendosje, të cilës s’i pëlqeu vendimi i Kushtetueses kur njoftoi pikat kryesore të aktgjykimit, në kundërshtinë e saj ngriti pyetjen se pse pikërisht u dhanë tri herë për propozim të emrit të njëjtë, duke thënë se këtë Kushtetuesja s’e ka në mandat ta përcaktojë.

Në aktgjykimin e plotë, Kushtetuesja ia dha përgjigjen.

Gjykata thotë se propozimi i vazhdueshëm për votimin e një kandidati apo kandidateje të njëjtë për kryeparlamentar/e nuk duhet ta bllokojë Kuvendin dhe ta pamundësojë arritjen e shumicës së votave të nevojshme (61).

“Në këtë kontekst, Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, Gjykata vlerëson që përcaktimi i një mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për Kryetar/e të Kuvendit konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vlerëson që në rast të dështimit të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për Kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.

Këtë, Kushtetuesja tha se e bazon në “frymën e Kushtetutës për zgjedhjen e krerëve të institucioneve”.

Ndonëse shpesh kanë kundërshtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që s’i kanë pëlqyer, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot në një prononcim për media tha se gjithmonë kanë respektuar vendimet e kësaj gjykate.

Por, për këtë të fundit, që do të mund të zgjidhte krizën institucionale në të cilën Kosova ka hyrë tash e saj, Kurti la hapësirë të mendohej se ky do të jetë një ‘përjashtim’ në ‘praktikën’ e partisë për respektim të vendimeve të Kushtetueses.

“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si Kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i VV-së, nuk e kam respektuar. Por kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.

Ndryshe nga ai, partitë tjera sot i bënë thirrje kryesuesit Dehari që sa më parë ta thërrasë seancën për të vazhduar përpjekjet tashmë me rregulla të reja për konstituim të Kuvendit. Dehari është i obliguar që seancën ta thërrasë brenda 48 orëve meqë masa për pezullim të përkohshëm ka skaduar.

JU REKOMANDOJMË

Dukagjin Gorani: Kushtetuesja e bëri një aktgjykim që nuk thotë asgjë
Kryesore

Dukagjin Gorani: Kushtetuesja e bëri një aktgjykim që nuk thotë asgjë

18/08/2025 - 21:10
Nis takimi me dyer të mbyllura Trump-Zelensky
Kryesore

Nis takimi me dyer të mbyllura Trump-Zelensky

18/08/2025 - 20:55
Prokuroria Speciale kërkon urdhërarrest për Goran Rakiçin
Kryesore

Prokuroria Speciale kërkon urdhërarrest për Goran Rakiçin

18/08/2025 - 20:36
Vetëvendosje pas aktgjykimit të Kushtetueses: Gjykata po shkruan rregulla të reja, vendimi cenon demokracinë
Kryesore

Vetëvendosje pas aktgjykimit të Kushtetueses: Gjykata po shkruan rregulla të reja, vendimi cenon demokracinë

18/08/2025 - 20:23
Aksident i rëndë në Finlandë, një shqiptar nga Kosova vdes në vendngjarje
Kryesore

Aksident i rëndë në Finlandë, një shqiptar nga Kosova vdes në vendngjarje

18/08/2025 - 20:02
Nga VV nisin sulmet ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses pas publikimit të Aktgjykimit
Lajme

Nga VV nisin sulmet ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses pas publikimit të Aktgjykimit

18/08/2025 - 19:36

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Aksident i rëndë në Finlandë, një shqiptar nga Kosova vdes në vendngjarje

    Aksident i rëndë në Finlandë, një shqiptar nga Kosova vdes në vendngjarje

    117 Shpërndaje
    Shpërndaje 47 Tweet 29
  • I arrestuar më herët për rrëmbimin e një shqiptari- Kush është biznesmeni që iu dogj jahti në Budva?

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • Tentohet të digjet marketi QTA në Mitrovicë me koktej molotovi (Video)

    111 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • “Nuk kam pas qëllim ta vras, jam penduar” – zbulohet deklarata e Top Kolshit para gjykatës rreth vrasjes së Enver Bajraktarit në Lipjan

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Gjykata Kushtetuese: Brenda 30 ditëve duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit me votim të hapur

    90 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë