Udhëheqësi kinez Xi Jinping i ka thënë Narendra Modit të Indisë se “zgjedhja e duhur” është që vendet e tyre të jenë miq dhe partnerë, ndërsa dy kombet më të populluara në botë po shqyrtojnë një afrimitet të përshpejtuar nga tensionet e tyre të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara.
Takimi shumë i pritur i Xi dhe Modi të dielën, në margjinat e një samiti rajonal në Tianjin, shënon vizitën e parë të liderit indian në Kinë pas shtatë vitesh. Të dy shtrënguan duart dhe pozuan për kamerat përpara bisedës së tyre, e cila ndodh teksa të dy vendet përballen me tarifa të ashpra të SHBA-së si dhe me vëzhgimin e Perëndimit mbi marrëdhëniet e tyre me Rusinë ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon, shkruan CNN.
“Bota sot është përfshirë nga transformime që ndodhin një herë në një shekull”, i tha Xi Modit, i cili ishte ulur përballë tij, me të dy liderët të shoqëruar nga zyrtarët e tyre. “Situata ndërkombëtare është si fluide ashtu edhe kaotike”, shtoi ai në fjalën hapëse.
“Është zgjedhja e duhur për të dy palët që të jenë miq që kanë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe miqësore, partnerë që e ndihmojnë njëri-tjetrin të kenë sukses, dhe që dragoi dhe elefanti të vallëzojnë së bashku”, tha ai, duke iu referuar simboleve tradicionale të dy vendeve.
Modi falënderoi Xi-n për ftesën në Kinë dhe përmendi ngrohjen e marrëdhënieve, duke përfshirë një zbutje të tensioneve përgjatë kufirit të tyre të kontestuar në Himalaje – ku të dy vendet u përfshinë në një përleshje të përgjakshme në vitin 2020.
“Ne jemi të përkushtuar ta çojmë përpara marrëdhënien tonë mbi bazën e besimit dhe respektit reciprok”, tha Modi.
Modi ndodhet në Kinë për një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një grupim rajonal sigurie i mbështetur nga Pekini dhe Moska, që është shfaqur si një gur themeli në përpjekjen e Xi-t dhe presidentit rus Vladimir Putin për ta ribalancuar pushtetin global në favorin e tyre.