Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, më 1 shtator 2025, rreth orës 14:30, stacioni policor në Suharekë është informuar nga Emergjenca se ka pranuar një person me lëndime të rënda.
Ekipi mjekësor ka konfirmuar se viktima, P.O., rreth 35 vjeç, nga Mushtishti, ka mbërritur në gjendje pa shenja jete.
Hetimet e para tregojnë se gjatë punës në një kompani në Mushtisht, viktima, duke operuar me një ngarkues (vinç), në rrethana ende të paqarta është goditur rëndë në kokë, duke mos arritur t’i mbijetojë plagëve.
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente, përfshirë edhe inspektorin e punës, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar, hetimet po vazhdojnë.
Rasti po trajtohet si vepër penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.