Në media sot është publikuar një artikull që e nxjerrë Arian Tahirin fitues të garës për kryetar të Mitrovicës pa balotazh, ku theksohej se këto të dhëna kanë dalë nga një sondazh i brendshëm i LVV.
Ndaj këtij raportimi kanë reaguar GUXO dhe VV, duke thënë se nuk është bërë asnjë sondazh nga ana e tyre.
Reagimi i partisë GUXO – dega ë Mitrovicë:
Disa portale kanë shpërndarë lajme të pavërteta duke pretenduar kinse ekziston një sondazh i brendshëm dhe kinse është ndërmarrë një ndryshim strategjie të brendshme. Këto pretendime nuk kanë asnjë bazë dhe përfaqësojnë një sajesë të plotë me qëllim dezinformimi dhe manipulimi të opinionit publik.
Theksojmë qartë se nuk ka pasur asnjë sondazh të brendshëm dhe asnjë ndryshim strategjie nga ana jonë. Çdo informacion i tillë është i fabrikuar dhe nuk reflekton realitetin. Përhapja e këtyre lajmeve synon të krijojë konfuzion dhe të dëmtojë besimin e qytetarëve.
Kjo vjen si rezultat i frikës që kanë për fitoren e Faton Pecit dhe përfundimin e qeverisjes së keqe në Mitrovicë.
I ftojmë qytetarët dhe mediat profesionale që të mos bien pre e këtyre lajmeve të pavërteta dhe të mbështeten vetëm në komunikimet dhe burimet zyrtare për informim të drejtë dhe të saktë.













