
Një ngjarje e dyshimtë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Stanovc i Ulët të Vushtrrisë, ku një veturë është përfshirë nga zjarri në rrethana që po hetohen si zjarrvënie e qëllimshme.
Sipas burimeve të Sinjalit nga Prokuroria, më 05 tetor 2025, rreth orës 03:00, S. Duraku rreth 51-vjeçar ka dëgjuar një krismë në oborrin e shtëpisë dhe, pasi ka dalë jashtë, ka vërejtur se vetura “Golf 7”, ngjyrë e zezë, në pronësi të bashkëshortes së tij, ishte duke u djegur.
Ankuesi dyshon për zjarrvënie të qëllimshme, pasi në afërsi të automjetit është gjetur një bidon me benzinë. Sipas tij, dëmi i shkaktuar arrin vlerën prej rreth 9,500 deri në 10,000 euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë arritur ta shuajnë zjarrin, si dhe njësitë patrulluese dhe hetimore të Stacionit Policor Vushtrri, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar si “Zjarrvënie” dhe po hetohet në drejtim të zbulimit të motiveve dhe kapjes së personave të përfshirë.