
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Komunën e Prishtinës për menaxhimin e buxhetit gjatë viteve të fundit, duke e quajtur “të pafalshëm” kthimin e dhjetëra miliona eurove të pashpenzuara çdo viti.
Murati ndërsa ka kritikuar kreun e Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se “është marre për një kryetar me i kthy 50 milionë euro të pashpenzume në fund të vitit, përderisa ke probleme me bërllog, me qenë endacakë, me mungesë të çerdheve, e infrastrukturë të pakompletuar”.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka publikuar shifra të suficitit (mjete të pashpenzuara buxhetore) të Komunës së Prishtinës për tre vitet e fundit.
Postimi i tij i plotë:
Buxheti që i ka shku suficit (i pashpenzuar) Komunës së Prishtinës, nëpër vite:
– Viti 2022: 49 milionë euro të pashpenzuara
– Viti 2023: 53 milionë euro të pashpenzuara
– Viti 2024: 34 milionë euro të pashpenzuara
Kurse për vitin 2025 i cili ende nuk ka përfunduar, me shumë gjasë suficiti përsëri do ta kalojë 50+ milionë euro.
Pra, secilin vit të qeverisjes janë me dhjetëra miliona euro që i kanë tepru të pashpenzume dhe i ka kthy mrapa, ama Përparim Rama ankohet që s’ka pasë buxhet dhe qeveria e paska diskriminu.
Është marre për një kryetar me i kthy 50 milionë euro të pashpenzume në fund të vitit, përderisa ke probleme me bërllog, me qenë endacakë, me mungesë të çerdheve, e infrastrukturë të pakompletuar.