Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar sot me Medalje të Nderit presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA.
Italiani u nderua në vendin tonë në një ceremoni të organizuar në Prishtinë.
Pasi e mori këtë medalje, kreu i FIFA-s u shpreh se për të ky është një nder dhe privilegj, ndërsa pati fjalë të mëdha për Kosovën, për popullin e saj dhe për presidentin historik të FFK-së, Fadil Vokrri.
“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë. Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova”, tha fillimisht Infantino.
“Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit… por siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”, vazhdoi Infantino.
“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj”, përfundoi kreu i futbollit botëror. /Gazeta Express