Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka folur në emisionin “EURO n’T7” për zhvillimet politike dhe takimet që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar me dy partitë më të mëdha opozitare në vend, PDK-në dhe LDK-në.
Kusari-Lila ka treguar se LVV ka zhvilluar bisedime me partitë politike, ndërsa ka bërë të ditur se me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë diskutuar edhe mundësitë për një marrëveshje politike për qeverisje.
Sipas saj, këto bisedime janë pezulluar për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK dhe procesit të mbajtjes së kuvendit të jashtëzakonshëm të kësaj partie.
“Tani a do të vazhdojë z. Abdixhiku të qëndrojë në krye të LDK-së apo do të ndryshojë atje lidershipi dhe ta marrë dikush përsipër LDK-në në një fazë tranzitore deri në kuvendin tjetër, atë nuk e di dhe është pyetje për ta, por që nga ana jonë ne do të angazhohemi maksimalisht që sa më parë, nëse ka qartësi nga pozicionimi i LDK-së, atëherë të rifillohen bisedat”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka shtuar se, në mungesë të një qartësie nga ana e LDK-së, ekziston mundësia e zgjedhjes së qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit deri në një afat tjetër, kur do të diskutohet edhe për çështjen e presidentit.
“Por nëse nuk ka, ekziston një mundësi e zgjedhjes së qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit deri në një afat tjetër kur do të diskutohet edhe për presidentin, nëse nuk ka gatishmëri për t’u diskutuar menjëherë, përderisa AAK ka paraqitur gjashtë pika që konsistojnë me program qeverisës për të ardhmen e vendit si kusht për të qëndruar në sallë për zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar Kusari-Lila.













