
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se zgjedhja e tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës e detyron të ndalojë ushtrimin e funksionit si ministër dhe se sipas procedurave, ai do të dorëhiqet nga pozita e ministrit ditëve në vijim.
Rashiq u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë. Ai gjithashtu tha se pozita e ministrit do t’i besohet dikujt tjetër nga partia e tij.
“Normalisht që nesër ose pasnesër kjo procedurë teknike, nuk mund të jemi njëkohësisht nënkryetar i kuvendit dhe ministër. Por besoj që bashkëpunimi që kemi pasur deri tashti me kryeministrin dhe VV-ja do të vazhdojë në forma ndoshta pak të ndryshme, por në drejtim të njëjtë. Normalisht, pasi që jemi në mandat teknik, besoj që edhe ministri i ardhshëm do të jetë nga radhët e partisë time”, tha ai./Indeksonline/