Deputeti i pavarur nga komuniteti Ashkali, Artan Asllani, ka konfirmuar se do ta votojë pro Qeverisë Kurti 3.
Ai për GazetaBlic theksoi se vendit i nevojitet stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje, prandaj mbështet formimin e qeverisë së re.
“Po, do të votoj pro Qeverisë Kurti 3, sepse besoj se vendit i duhet stabilitet dhe vazhdimësi në qeverisje”, tha Asllani.
Ndryshe, më 11 tetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Pavarësisht se kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.
Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.