
Gëzimin për martesën e djalit një burrë nga Vushtrria vendosi ta shpreh duke shkrepur disa plumba në ajër. Por kjo i kushtoi atij, pasi nuk vonoi shumë dhe Policia ia zuri derën.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, ku Policia kishte marrë informacion se në fshatin Novolan janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri.
Ata menjëherë dolën në vendin e ngjarjes, ku takuan pronarin e shtëpisë, i cili pranoi para policëve se ka shtënë disa herë në ajër në shenjë gëzimi. Atij iu konfiskua arma e llojit kallashnikov, bashkë me gjashtë gëzhoja që u gjetën në vendngjarje e që dyshohet se i përkasin armës e cila u përdor në rast.
58-vjeçari u shoqërua në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprat ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.











