Mbi 11 mijë euro nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar në dreka zyrtare në restorantin “Bukë e zemër” të tani të akuzuarit Ridvan Muharremi, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e Rezervave Shtetërore.
Këto shpenzime, sipas raportit përmbledhës financiar të Njësisë së Hetimeve të Integruara Financiare që citohet nga aktakuza e Prokurorisë Speciale e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, ishin bërë nga 3 mars 2022- 14 korrik 2023.
Në mesin e transaksioneve, rezulton dhe dreka zyrtare e mbajtur nga kabineti i Zyrës së Kryeministrit Albin Kurti, në vlerë prej 517 euro.
“Nëse analizojmë më në detaje këto transaksione, vërehet se të njëjtat kanë filluar të realizohen nga muaji mars i vitit 2022, pra, pikërisht në kohën e zhvillimit të procesit të blerjes së rezervave shtetërore të mallit (grurë, vaj dhe sheqer), ku ishte i përfshirë Ridvan Muharemi”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Tutje, aktakuza citon se transaksioni për këtë drekë ishe bërë pikërisht në ditën e realizimit të kontratës me kompaninë turke për blerjen e 10 mijë tonë grurë në vlerë prej 4.8 milionë euro.
“Përveç tjerash, në muajin mars, konkretisht me datë 15 mars 2022, ditën kur është nënshkruar kontrata nga Rozeta Hajdari me operatorin turk “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi”, është realizuar transaksion për drekën zyrtare e organizuar nga Kryeministri, në llogari të biznesit të Ridvan Muharemi “Bukë e Zemër”, thuhet tutje në aktakuzë.
Pronari i restorantit “Bukë e Zemër”, i njohur si “Ridi” tani po akuzohet nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale bashkë me Muharremin po e akuzon edhe ministren në detyrë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarin, Irfan Lipovica dhe drejtorin e Departamentit për Rezerva Shtetërore, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Ata ngarkohen se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë për afër 3 milionë euro.
Kjo thuhet se është bërë përmes kontratave të nënshkruara për blerjen e rezervave shtetërore për grurin, vajin dhe sheqerin.














