Një ish-figurë udhëheqëse e partisë populiste të krahut të djathtë në Britani, Reform UK, është burgosur për pranimin e ryshfeteve në këmbim të deklaratave pro-ruse në Parlamentin Evropian.
Nathan Gill, 52 vjeç, u dënua me dhjetë vjet e gjysmë burgim në Gjykatën Qendrore Penale të Londrës, pasi pranoi se kishte marrë dhjetëra mijëra paund para të gatshme gjatë një periudhe tetëmujore midis dhjetorit 2018 dhe korrikut 2019.
Pagesat u quajtën nga Gill dhe bashkëpunëtori i tij si “dhurata Krishtlindjesh”.
Raportohet se Gill mbajti një sërë fjalimesh dhe deklaratash pro-ruse në Parlamentin Evropian, si dhe në mediat pro-ruse në Ukrainë.
Gjykata dëgjoi se aktivitetet e paligjshme të Gill u zbuluan për herë të parë pasi ai u ndalua në aeroportin e Manchesterit, ndërsa po bëhej gati të nisej për një udhëtim në Rusi më 13 shtator 2021.
Një ekzaminim i telefonit të tij zbuloi një seri mesazhesh midis Gill dhe shtetasit ukrainas pro-rus Oleg Voloshyn, i cili kishte qenë një zyrtar qeveritar në Kiev para vitit 2014 dhe u sanksionua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2022.
Ndryshe, Gill shërbeu si Kryetar i Reform UK Wales nga marsi deri në maj 2021 dhe udhëhoqi fushatën zgjedhore të Reform UK për Parlamentin e Uellsit në vitin 2021. Ai nuk është më anëtar i partisë.
Në kohën e kryerjes së veprave penale, Gill ishte anëtar i Parlamentit Evropian.














