Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar me tone të forta ndaj deklarimeve të eksponentëve të Vetëvendosjes, të cilët së fundi kanë kritikuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Në një postim publik, Lekaj ka thënë se është “e turpshme dhe e rrezikshme” të krahasohen “luftëtarët e lirisë me Listën Serbe”, duke e cilësuar një përpjekje të tillë si goditje ndaj vlerave të luftës së UÇK-së.
Sipas Lekajt, luftëtarët e lirisë janë “krenaria dhe themeli i shtetit të Kosovës”, ndërsa, siç shprehet ai, Lista Serbe mbetet “instrument i Beogradit”. Ai ka akuzuar Vetëvendosjen se po promovon narrativa të cilat, sipas tij, nuk përputhen me të vërtetën historike të Kosovës.
“Njerëzit që s’kanë bërë asgjë për këtë vend, sot lehin poshtë e lart. Turp!”, ka shkruar Lekaj, duke aluduar se sulmet politike ndaj Haradinajt synojnë zhvlerësimin e rolit të tij dhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në shtetndërtim.













