Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet për kanosje ndaj dy personave.
Rasti dyshohet se ka ndodhur të dielën e 23 nëntorit, në vendin e njohur si “Rruga e Re” në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar.
“Me urdhër të prokurorit është inicuar rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, ka deklaruar Nikçi për Insajderin.
Siç mëson Insajderi, të kërcënuarit nga ministri në detyrë janë Luftim dhe Riza Murati.
Sipas burimeve të Insajderit, ministri i Kurtit madje e ka vendosur dorën në armë gjatë incidentit.














