Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se mes AAK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë në të gjitha nivelet lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
I ftuar në studion e “Politikos”, Haradinaj tha se AAK-ja ka qenë e hapur ndaj këtij opsioni dhe e ka parë si një mundësi reale, megjithëse afatet e shkurtra dhe presioni për përgatitje kanë qenë sfidë për krijimin e një liste të përbashkët.
“Komunikim ka pasur edhe drejtpërdrejtë në të gjitha nivelet me LDK-në dhe nuk kemi qenë kundër, jemi kanë shumë të hapur. E kemi pa si një mundësi reale,” u shpreh ai.
Haradinaj theksoi se duhet kuptuar situata e jashtëzakonshme dhe dinamika e shpejtë e zgjedhjeve, çka e vështirëson koordinimin e një liste të përbashkët brenda një kohe kaq të shkurtër. Megjithatë, ai insistoi se marrëdhëniet mes dy partive mbeten shumë të mira.
“Mendoj që kemi raporte tepër të shëndosha me LDK-në,” tha nënkryetari i AAK-së.
Ai shtoi se personalisht ka qenë në favor jo vetëm të një marrëveshjeje me LDK-në, por edhe të një koalicioni më të gjerë opozitar.
“Unë kam qenë pro dhe po ashtu kam qenë pro edhe për një koalicion të gjerë ku do të ishin të gjitha partitë politike opozitare në një listë të përbashkët,” deklaroi Haradinaj.















