Komandanti i KFOR’it, Özkan Ulutaş, ka pritur sot në takim Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Lejtnant Arben Kingji, në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.
Gjatë takimit, gjeneralët shkëmbyen pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin më gjerë.
“Gjenerali Ulutaş shprehu gjithashtu vlerësimin e tij të sinqertë për kontributin e vlefshëm të Shqipërisë në misionin KFOR”, tha misioni i NATO’s në një njoftim.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.














