Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se më datë 28 janar 2026 ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit, në Komunën e Malishevës.
Në njoftim thuhet se, pasi në datën e lartë cekur nuk ishte siguruar prezenca e një kryesuesi të komisionit, sot më 2 shkurt është siguruar prezenca e tij për intervistim. Pas veprimeve procedurale, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij prej 48 orësh.
Ndaj të njëjtit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, për shkak të veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, thuhet në njoftim.











