Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Artane Rizvanolli, pak ditë pas kërkesës së KESCO-s për shtrenjtim të rrymës prej 21% të dorëzuar në ZRrE, ka thënë se Kosova do të përballë me periudhë sfiduese në sektorin e energjisë gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.
Siç tha ajo, importi i rrymës do të rritet ndjeshëm, pasi blloqet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të ndalen për disa muaj për shkak të modernizimit dhe rehabilitimit të tyre.
“Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë për gjeneratat e ardhshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se ndërprerjet janë të domosdoshme për realizimin e këtyre projekteve.
Rizvanolli theksoi se vendimi përfundimtar për çmimet ende nuk është marrë, por zhvillimet në sektorin energjetik do të kenë pasoja të menjëhershme.













