Pas humbjes së rëndë 4-0 ndaj Atletico Madrid në gjysmëfinalen e parë të Copa del Rey, jo gjithçka është negative për FC Barcelona.
Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, braziliani Raphinha është rikthyer në stërvitje në fushë, duke dhënë sinjale pozitive për rikuperimin e tij.
Sulmuesi ishte zëvendësuar në pushimin e ndeshjes ndaj Elches dhe më pas mungoi në sfidat kundër Albacetes, Mallorcas dhe Atlético Madridit. Fillimisht ishte parashikuar një periudhë rikuperimi prej një jave, madje ishte menduar edhe aktivizimi ndaj Mallorcas, por trajneri Hansi Flick kishte theksuar se lojtari nuk ndihej ende gati dhe duhej treguar durim.
Tashmë, Raphinha ka zhvilluar stërvitje në bar me pjesën tjetër të skuadrës gjatë seancës rikuperuese, duke shtuar optimizmin se mund të marrë disa minuta të hënën në derbin katalanas ndaj Girona FC.
Gjatë këtij sezoni, braziliani ka regjistruar 22 paraqitje në të gjitha garat, me 13 gola dhe 5 asistime. Megjithatë, dëmtimet e kanë lënë jashtë për më shumë se 40% të ndeshjeve të skuadrës, ndaj rikthimi i tij konsiderohet jetik për ambiciet e Barcelonës në fazën vendimtare të sezonit.














