Telashet familjare shpesh herë tejkalojnë muret e shtëpive, ku nevojitet intervenimi i Policisë për të zgjidhur problemet. Por janë të rralla rastet kur personat e dyshuar e njoftojnë vetë Policinë për veprën që kryejnë.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në një familje në rrugën ‘Gryka e Llapushnikut’, ku një i ri dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij të madh.
Sinjali mëson se pasi e ka rrahur, 23-vjeçari ka lajmëruar Policinë për atë që ka ndodhur, me ç’rast njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin.
Ndërkohë 39-vjeçari si pasojë e lëndimeve të marra nga sulmi, është dërguar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.












