Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, duke kërkuar ndjesë për takimin e hershëm me kryeministrin Albin Kurti, foli për atë që u duken si koncesione për të arritur te një pajtim për nisjen e zbatimit të ligjit për të huajt dhe atij për automjetet, nga të cilët do të preket komuniteti serb në Kosovë.
Sorensen tha se kanë “mirëpritur përkushtimin dhe zotimin e Kosovës për sa i përket sundimit të ligjit dhe vendimin e dhjetorit për zbatimin gradual të ligjit për të huajt dhe atë për automjete, që lejon një fushatë vetëdijësuese për ata që preken”.
“Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet e ndryshme me BE-në dhe për zotimin e Kurtit për amendamentimin e ligjit për të mos e ndërprerë ofrimin e shërbimeve në suaza të kornizës ligjore që ekziston. Të gjitha këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë. Përpjekjet duhet të jenë përfshirëse dhe të konfirmohen në harmoni me të gjitha marrëveshjet e dialogut”.
Sorensen tha se kanë zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e komunitetit serb për të gjetur pajtimin e tyre.
“Prioriteti kyç është që të sigurojë leje për punëtorë dhe studentë për një periudhë fillestare prej 12 muajve në mënyrë që të mos pengohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe për këtë duhet të lejohet njohja e letërnjoftimeve deri në vitin 2026 dhe në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës duhet t’i regjistrojë individët të cilët në harmoni me ligjin e Kosovës dhe me statusin e tyre civil”.













