Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 në Termocentralin Kosova A do të ndalet sonte rreth orës 00:00 për shkak të problemeve të konstatuara në kondenzator.
Sipas vlerësimeve profesionale sipas KEK vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha, ndaj ndalja e kontrolluar shihet si një masë parandaluese për të ruajtur integritetin e njësisë dhe për të shmangur defekte serioze. Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar paraprakisht për këtë zhvillim, tregon KEK.
Aktualisht, KEK operon me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, që sipas njoftimit siguron furnizim të qëndrueshëm të energjisë në përputhje me kapacitetet e disponueshme.
Njoftimi i plotë:
KEK: Ndalje e kontrolluar e njësisë A4 dhe investimet për të ardhmen e sektorit energjetik
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se njësia A4 në TC Kosova A pritet të ndalet në mënyrë të kontrolluar sonte rreth orës 00:00, pas paraqitjes së problemeve në kondenzator.
Pas vlerësimeve profesionale, është konstatuar se vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha.
Për këtë arsye, ndalja është një masë e domosdoshme parandaluese, me qëllim të ruajtjes së integritetit të njësisë dhe evitimit të defekteve serioze.
Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim.
Aktualisht, KEK është duke operuar me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B si dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve në dispozicion.
Në të njëjtën kohë, KEK rikujton se është në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese – investimet më të mëdha që nga fillimi i operimit të termocentraleve.
Në kuadër të këtyre investimeve:
• Njësia B1 është në proces modernizimi (turbina dhe elektrofiltra);
• Njësia A5 ndodhet në remont kapital;
• ndërhyrje të tilla kërkojnë në raste të caktuara ndalje të përkohshme, si pjesë e një procesi të domosdoshëm për përmirësim afatgjatë.
KEK fton opinionin publik dhe mediat që të informohen përmes njoftimeve zyrtare të publikuara nga kanalet e komunikimit të Korporatës, si burimi i vetëm i saktë dhe i verifikuar i informacionit. Informacionet e pasakta apo të pabazuara në burime zyrtare nuk kontribuojnë në informim të drejtë të opinionit publik.
KEK mbetet i përkushtuar për furnizim të qëndrueshëm me energji, duke ndërmarrë njëkohësisht investime strategjike që garantojnë siguri dhe efikasitet më të lartë për të ardhmen energjetike të vendit.














