Një i akuzuar për mashtrim ndaj Policisë së Kosovës në procedurat e prokurimit publik, është përzgjedhur fitues i një kontrate me vlerë 1.6 milionë euro nga Ministria e Mbrojtjes.
Sabit Makiqi, pronar i kompanisë “A&V Collection”, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tregtari i produkteve të veshmbathjeve dyshohet se me vetëdije i kishte shkelur rregullat e prokurimit publik në tenderin e hapur nga Policia e Kosovës për “furnizim me uniforma operacionale” më 25 janar të vitit 2022.
Makiqi dyshohet se kishte paraqitur mostrën e prodhuesit slloven “UF-PRO” si prodhim të kompanisë turke “ATT STILL” përmes heqjes së logos dhe numrit serik të brendit slloven dhe duke i vendosur logon e kompanisë turke “ATT STILL”.
Rasti është momentalisht në gjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Paparaci.
Ndërsa përballet me akuzën për mashtrim ndaj Policisë së Kosovës, Makiqi dhe kompania të cilën ai drejton “A&V Collection” ka fituar një kontratë të majme nga Ministria e Mbrojtjes.
Ai, pritet që të martën e 7 prillit të hedhë firmën mbi kontratën me vlerë 1.6 milion euro për furnizim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me uniforma pune, ceremoniale dhe të bendit muzikor të Ushtrisë, sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes të publikuar të hënën në platformën e-prokurimi.
Kontrata peshon saktësisht 1,698,215.00, tregon njoftimi për dhënie të kontratës i publikuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Njoftimi mbi vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për shpërblimin me kontratë të kompanisë “A&V Collection” u publikua më 18 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa pas shterimit të mjeteve të ankesave, kontrata është planifikuar të nënshkruhet të martën e 7 prillit.
“A&V Collection NP”, në pronësi të Makiqit, është përzgjedhur për kontratë përmes kriterit të çmimit të më të lirë të peshuar. Edhe një operator tjetër ekonomik kishte ofertuar për kontratën, por me çmim rreth 100 mijë euro më të lartë të peshuar sesa fituesi i tenderit.
Nga tetori i vitit 2022 deri në korrik të vitit pasardhës, kompania “A&V Collection” u vendos në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit me kërkesë të Policisë së Kosovës.
OSHP-ja konstatoi se kompania kishte “paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara” në tenderin e Policisë së Kosovës.
“A&V Collection” është një kompani me bazë në Gjilan, e cila ka gjashtë njësi në gjashtë qytete të Kosovës. Ajo merret me tregtinë e këpucëve dhe artikujve prej lëkurës. Kompania zotëron edhe brendin e mbathjeve “Runners”.














