Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, nëpërmjet një reagimi publik ka deklaruar se kanë pranuar dhjetëra ankesa nga banorët e Komunës së Ferizajt, të cilët kanë dhënë pronat dhe shtëpitë e tyre për ndërtim, si dhe nga qytetarë që kanë investuar në blerjen e banesave.
Sipas Gashit, në ankesat e cekura janë mbledhur dëshmi se një numër i konsiderueshëm i kompanive ndërtimore nuk po i përmbushin obligimet kontraktuale, duke tejkaluar afatet e përcaktuara dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasiguri juridike për qytetarët.
“Këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të marrëdhënieve kontraktuale dhe bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtat e palëve kontraktuese. Për më tepër, në raste të caktuara ekzistojnë elemente të dyshimit për vepra penale, përfshirë: mashtrimin, keqpërdorimin e besimit dhe dëmtimin e kreditorëve, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.
Tutje ai ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin veprime urgjente për hetimin e këtyre rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.












