Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, Lëvizja Vetëvendosje nuk po tregon gatishmëri për ta çuar përpara procesin e zgjedhjes së presidentit.
Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Gruda tha se afati fillestar është shfrytëzuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe se as periudha shtesë e dhënë më pas nuk po përdoret për këtë çështje.
“Edhe ne pajtohemi që Kosova duhet të ketë president, por kjo ka nevojë për një proces dhe dialog politik që na çon te një shumicë parlamentare për të zgjedhur presidentin. Ajo që ka ndodhur deri tash është që, unë mendoj që nuk ka vullnet nga LVV-ja për të zgjedhur president”, tha ai në “Rubikon”.
Më tej, ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar ky proces nga pushteti, duke theksuar se nuk sheh angazhim serioz për arritjen e një marrëveshjeje politike.
“E para, sepse afati që ishte para vendimit të Kushtetueses u shpërdor duke u lënë për ditën e fundit veprimet për të thirrur seancën, dhe afati i ri që u dha nga Kushtetuesja, ju e shihni që nuk po përdoret fare. Kryeministri Kurti merret me çdo gjë tjetër, veç me zgjedhjen e presidentit, përveç kur zihen në ndonjë deklaratë. Zoti Konjufca e dha këtë deklaratë me gjasë se e zunë gazetarët befasisht në korridor, siç e tha edhe vet, por nuk janë të interesuar për atë temë”, deklaroi Gruda.












