Një fishek i gjetur brenda një veture gjatë një kontrolli policor në Prizren ka çuar deri te bastisja e shtëpisë së shoferit, i cili është marrë në pyetje nën dyshimin për posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 17 tetor, në rrugën “William Walker”, ku një patrullë policore kishte ndaluar një automjet për kontroll.
Gjatë kontrollit, policët kanë vërejtur një fishek të llojit dhe kalibrit ende të paidentifikuar në brendësi të automjetit.
Në veturë ndodhej vetëm drejtuesi i saj, Enver Ogan, 36 vjeçar, shtetas i huaj me leje qëndrimi në Kosovë.
Pas zbulimit të fishekut, Ogan është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa municioni është sekuestruar nga njësia e kriminalistikës.
Por hetimet nuk janë ndalur me kaq.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Policia ka kryer edhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, në kërkim të armëve apo provave të tjera të mundshme.
Megjithatë, gjatë kontrollit të banesës nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe konsultimit të ri me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Enver Ogan është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për prejardhjen e fishekut dhe rrethanat e posedimit të tij po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
















