Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar sot zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës një kërkesë për organizimin e një ceremonie përkujtimore dhe nderimin institucional të ish-kongresmenit amerikan, Eliot Engel.
Haradinaj ka bërë të ditur se kjo iniciativë vjen si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të Engel në momentet më vendimtare të historisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga zërat më të fuqishëm pro pavarësisë në SHBA.
Në arsyetimin e tij, Haradinaj shtoi se nderimi i miqve strategjikë është thelbësor për kujtesën historike të shtetit të Kosovës.
“Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet më vendimtare të historisë sonë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në përkrahje të kauzës sonë të drejtë. Besoj fuqishëm se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar“, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, ky hap shërben gjithashtu për të forcuar tutje aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke treguar se Kosova nuk i harron ata që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit.












