Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se partia që ai e drejton nuk diskuton më me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket zgjedhjes së presidentit të vendit.
Mbrëmë në “Rubikon” të Klan Kosovës, Hamza tha se PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj sa i përket çështjes së presidentit, transmeton Klankosova.tv.
“PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit, dhe unë si kryetar, por edhe Kryesia, jemi të detyruar t’i respektojmë vendimet e Këshillit Drejtues”, tha Hamza.
“Ose mundësia tjetër është që zotëri Kurti t’i japë vendit president me 98 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës”, u shpreh i pari i PDK-së në Klan Kosova.














