Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.
Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, z. Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.Raporti u është dërguar znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, znj. Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe z. Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e
Njeriut i Këshillit të Evropës.
Në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.
Avokati i Popullit i ka informuar ata se Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar vazhdimisht përputhshmërinë me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), si dhe kushtet e të paraburgosurve.
Ai thekson në letër se, si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka angazhuar organizatën BHRC për të kryer një vlerësim paraprak të pavarur, si
rezultat i shqetësimeve të tij serioze dhe të vazhdueshme lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore në DhSK.
Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare.
Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të
mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore.
Këto standarde të njohura ndërkombëtarisht përbëjnë mbrojtje thelbësore për të siguruar legjitimitetin dhe besueshmërinë e procedurave penale të zhvilluara në kuadër të mekanizmave gjyqësorë ndërkombëtarë ose hibridë, thuhet në letër.
Avokati i Popullit thekson rëndësinë e sigurimit që praktikat dhe procedurat e gjykatës të vazhdojnë t’u përmbahen plotësisht standardeve më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë gjyqësore. Ai shtoi se adresimi i shqetësimeve të identifikuara në raport është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të procesit gjyqësor.
Avokati i Popullit ka rikujtuar në letër se Republika e Kosovës ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj parimeve të drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.
Më tutje, theksohet se Republika e Kosovës ka përmbushur detyrimet e saj
ndërkombëtare duke themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të legjislacionit zbatues nga institucionet e saj demokratike.
Avokati i Popullit nënvizon gatishmërinë e qartë dhe të pakontestueshme të
Kosovës për të kontribuar në mekanizmat ndërkombëtarë të llogaridhënies dhe për të mbështetur standardet më të larta të drejtësisë.
Në këtë letër, Avokati i Popullit po ashtu thekson se përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e Gjykatës për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tyre.
Ai shtoi se një sjellje e tillë tregon një angazhim të fortë institucional nga
Republika e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike ndaj parimeve të llogaridhënies, bashkëpunimit gjyqësor dhe respektimit të proceseve ligjore ndërkombëtare.














