Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, ajo para nëntë vitesh radhitej mjaft poshtë në këtë subjekt politik. Barte numrin 81.
Fati i Osmanit përcaktohej në natën e fundit para dorëzimit të listës zgjedhore. Isa Mustafa, atëkohë kryetar i partisë, kishte thënë se në natën e fundit, me insistimin e Avdullah Hotit, Osmanin e kishte futur në listë, shkruan Insajderi.
Mustafa kishte thënë se ai nuk ishte pro që Osmani të jetë pjesë e listës së LDK-së për deputetë.
“Edhe nuk e kam shti të në listë për deputetë deri natën e fundit diku nga ora 23:00. Dhe e kam shti me insistimin e Avdullah Hotit, sepse e caktuam për kandidat për kryeministër dhe ai me tha se mund të dëmtohen nëse nuk është edhe Vjosa në listë sepse ajo mund ta ketë një numër të caktuar te votave”, kishte thënë Mustafa.

Atëkohë LDK’ja kishte bërë koalicion me AKR-në dhe Alternativën, ku pas Hotit si bartës ishte Behgjet Pacolli dhe Mimoza Kusari.
Përkundër këtij numri që ia kishin dhënë, Vjosa Osmani kishte arritur t’i marrë 64,147 vota, duke u bërë gruaja më e votuar në LDK dhe kandidatja e dytë më e votuar pas kësaj liste.

Radhitje “poshtëruese” kësaj radhe kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i ka bërë ish-deputetes Hykmete Bajrami. Ajo s’është përfshirë në top 10-shen e kandidatëve për deputetë, ndonëse ka qenë nga deputetet më të zëshme në Kuvendin e Kosovës.
“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, deklaroi sot Bajrami./Insajderi














