Tentimi i parë për ta gjetur një kompani që do t’i shtypte fletëvotimet dështoi meqenëse asnjë nga kompanitë e ftuara, nuk ofertoi.
Kështu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e bëri edhe një përpjekje: duke e ftuar për të ofertuar një kompani sllovene.
“Cettis”, KQZ-së, ia kërkoi afro 350 mijë euro për ta kryer këtë punë, duke e tejkaluar buxhetin e parashikuar, që ishte afro 287 mijë euro.
Përkundër që dallimi ishte hiç më pak se 57 mijë euro, KQZ miratoi dhënien e tenderit.
Sipas kryetarit, kjo ishte mundësia e vetme që të mos rrezikohet procesi.
“Procesi zgjedhor është shumë i shkurtë. Dhe nuk kemi kohë me manipulu me procedura të tenderimit, prandaj duhet me i tejkalu me procedurë ma të shpejtë”, ka thënë Kreshnik Radoniqi, Kryetar i KQZ-së.
Sipas një ish-kryetari të këtij institucioni, procedura e negociuar dhe tejkalimi i buxhetit, në raste të tilla është e pranueshme, në mënyrë që të evitohen pasoja të tjera.
“Firma përkatëse në slloveni, e cila është e njohur që nga koha kur isha aty dhe kishim bashkëpunim, dhe nuk është korrekte të rritet çmim. Por, në kohë krizash, rriten çmimet. Por, zgjidhja nuk është në kundërshtim me ligjin”, ka thënë Mazllum Baraliu, Ish-kryetar i KQZ-së , për Dukagjinin.
Në fakt, Kompania “Cettis”, në vazhdimësi ka shtypur fletëvotimet për shumicën e zgjedhjeve në Kosovë. Por, në zgjedhjet e fundit komunale, i bëri disa gabime teknike në fletëvotime, që çuan pastaj edhe në hetim nga institucionet. Andaj Baraliu thekson nevojën që për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, të ketë vëmendje të shtuar.
“Kërkohet vëmendje e veçantë dhe mbikëqyrje gjatë procesit. Prandaj, anëtarët e KQZ-së, të jenë në fabrikë, dhe të kontrollojnë procesin”, ka thënë Mazllum Baraliu, Ish-kryetar i KQZ-së.
Megjithatë, të paktën deri të shtunën pasdite, KQZ, nuk e ka bërë publike në platformën e-prokurimi, dhënien e tenderit në fjalë.














