Petrol Company, financuese e fushatës së Vetëvendosjes, ka fituar 79 tenderë me vlerë mbi 51 milionë euro që nga viti 2021.
Fillimisht figuronte si emër në listën e donatorëve të Vetëvendosjes. Më pas, rezulton si emër i përsëritur në listën e fituesve të tenderëve. Fjala është për Petrol Company.
Që nga viti 2021, kjo kompani i ka fituar 79 tenderë. Vlera e tyre mbi 51 milionë e 721 mijë euro.
Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kur Vetëvendosja fitoi për herë të parë, Petrol Company kishte qenë njëra nga donatorët e fushatës. Në Raportet financiare të fushatës dhe Raportin e Auditorëve të pavarur për zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nga 25 shtatori deri më 4 tetor 2019, del se kjo kompani i dha Vetëvendosjes mall dhe shërbime në vlerë 1 mijë e 63 euro.
Dhe, pason shpërblimi. Prejse Albin Kurti u rikthye në pushtet në vitin 2021 Petrol Company u bë njëra nga kompanitë që fiton më së shumti tenderë. Plotë 79 herë.
Tenderët u fituan nga Korporata Energjetike e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Telekomi i Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nga Trepça…
Nga Petrol Company e kanë mohuar kategorikisht se numri i madh i tenderëve ka të bëjë me lidhje politike.
Në përgjigje për VOX-in ata thanë se gjithmonë kanë fituar shumë tenderë dhe se pyetjet e mediumit i konsiderojnë tendencioze, të pavend dhe ofenduese.
Por, s’është tendecioze aspak, të krijosh kureshtje kur një kompani që dikur financonte Vetëvendosjen, sot me Vetëvendosjen në pushtet fiton 79 tenderë për veç 5 vjet. Shto këtu faktin që Albin Kurti fliste për luftë ndaj oligarkëve. Apo, ndoshta ka vendosur t’i luftojë me dhënie tenderësh?













