“Cetis d.d”, kompania sllovene me të cilën është gjetur një lidhje me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, po ua “sheh hairin” zgjedhjeve. Përmes një tenderi të negociuar, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka dhënë tender në vlerë prej mbi 400 mijë euro për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
KQZ’ja pas ri-tenderimit e ka përzgjedhur fituesin e përhershëm të këtij tenderi, ku vlera paraprake e parashikuar e kontratës ishte afro 285 mijë euro, raporton Gazeta Insajderi
Megjithatë, vlera e përgjithshme e kontratës për kompaninë sllovene, përgjegjëse për fletëvotime e materiale të tjera zgjedhore, do të jetë rreth 342 mijë euro.
Ndonëse në dokumentet e publikuara në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) vlera e përgjithshme e kontratës figuron rreth 420 mijë euro, në një sqarim thuhet se kompania sllovene “Cetis d.d” ka ofruar zbritje nga oferta e tyre financiare.
“OE pas kërkeses se KQZ ka ofruar zbritje nga oferta finaciare dhe si rrjedhoj oferta finale ka çmim
prej 342,000.00€“, thuhet në sqarim.
Megjithatë, kjo shifër është larg asaj të zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Atyre të 28 dhjetorit. Për zgjedhjet e jashtëzakonshme, “Cetis” kishte fituar tender në konsercium me kompaninë vendore “Cetkos” në vlerën e përgjithshme prej 275 mijë euro.

Dokumente biznesi dhe të pronësisë tregojnë se CETIS ka qenë aksionare në një kompani shqiptare ku ortak figuron edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Sipas dokumenteve të publikuara më herët në media, Berishaj figuron se ka qenë pjesë e një kompanie për organizimin e lojërave të fatit në Shqipëri, “Nacional Sh.A”. Në dokumentet e publikuara, ai figuron si bashkëortak në kompani, së bashku me CETIS D.D, ku vetë mban 10% të aksioneve.


Përgjatë zgjedhjeve lokale të tetorit të 2025-ës, kompania “Cetis” ishte përgjegjëse për fletëvotimet të cilat ngritën dyshime në manipulim votash.
Në Komunën e Mitrovicës, u dyshua për falsifikim votash pasi disa numra serik të fletëvotimeve nuk u përputhën me kutitë e votimit nga ku ishin nxjerrë për t’i numëruar.
Për shkak të këtij dyshimi, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e kishte ndaluar numërimin e votave dhe kishte filluar hetimet në lidhje me këtë situatë.
Në lidhje me këtë vetë kompania Cetis, kishte dal me një sqarim zyrtar ku ka thënë se disa fletëvotime në komunat e Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës janë shtypur gabimisht.
Kompania e kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të vitit 2025, ka thënë në sqarim se bëhet fjalë për gabime gjatë shtypjes së fletëvotimeve.
CETIS tha në sqarim se ka kryer një hetim lidhur me rastin, i cili ka rezultuar në evidentimin e disa gabimeve në shtypje të disa fletëvotimeve në dy komuna.
Në njoftim thuhej se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit. /Insajderi.org/















