Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli ka denoncuar publikisht të martën dy raste të shpronësimit, të cilat sipas saj, i krijojnë shtetit kosto deri në dy milionë euro.
Në një konferencë për media të zhvilluar të martën, Pacolli së pari ka denoncuar rastin e shpronësimit të një prone në fshatin Bibaj të Ferizajt. Ka thënë se dyshon që Gjykata e Ferizajt është përfshirë në veprime të dëmshme, duke e trefishuar vlerën për shpronësimin e kësaj prone krahasuar me vlerësimin e kryer nga Ministria.
“Shpronësimi i parcelës kadestrale është realizuar në dy faza me vlerësim fillestar prej 32 euro për metër katëror. Ky vlerësim është pranuar nga pronari në fazën e parë”, ka thënë ajo.
“Vendimi gjyqësor e ka rritur vlerën në mënyrë drastike: prej 32 euro për metër katëror, në 90 euro për metër katëror”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka thënë se “këto janë indikacione serioze për keqpërdorim të parasë publike dhe për një zinxhir të involvuar institucionet, gjykatat”.
Sipas Pacollit, vendimi i Gjykatës për këtë rast ka prodhuar 600 mijë euro kosto shtesë për shtetin.
Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që të fillojë urgjentisht hetime për këtë rast.
Ministrja në detyrë ka denoncuar edhe tjetërsimin e një prone tjetër publike në zonën kadastrale Fshati i Vjetër në Ferizaj, me sipërfaqe 3.5 hektarëshe.
Tjetërsimi i kësaj prone, sipas ministres, përmban elemente serioze dyshimi për falsifikim të dokumenteve.
Tani, ka thënë ajo, shteti kërkohet që të kryejë pagesë prej një milion e 700 mijë euro për shpronësimin e të njëjtës pronë për realizimin e një projekti me interes publik.













