Ditën e sotme, kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë Fitore Pacolli, njoftuan për lansimin e një pakoje të re nga ana e qeverisë, që lidhet me largimin e deponive ilegale të mbeturinave në gjithë vendin.
Gjatë konferencës për media, Kurti deklaroi se, aksioni ka për qëllimin largimin e mbeturinave nga vendet ku rrezikohet shëndeti, dhe që, qeveria të bëhet ‘’prijëse e organizimit’’.
“Mbledhja e mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër institucional gjë e cila nuk është lehtë e arritshme. Sot kemi një situatë me mangësi serioze në sektorin e mbeturinave. Kemi bërë gati projektligjin e ri për mbeturinat. Situata me mbeturina është bërë serioze e kjo sidomos nga hapësirat që nuk mbulohen nga askush. Lirisht mund të themi se kemi një emergjencë. Sot jemi këtu për të shpallë një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, aksionin kundër mbeturinave. Ky aksion ka për qëllim të arrijë dy efekte e para të intervenoj në vendet ku heqja e mbeturinave rrezikon shëndetin. Po ashtu, kërkon të shtrojë një rrugë të re, ku qeveria nuk rri duarkryq por është prijëse e organizimit.
Që aksioni të rezultojë i suksesshëm janë paraparë pesë marrëveshje me kompani. Buxheti i paraparë nga Qeveria është një milion euro. Parashihet largimi i 500 deponive ilegale. Presim që gjatë kohës sa zhvillohet aksioni presim të kemi inspektorë që të vejnë në zbatim ligjin aktual për mbeturinat, nëpërmjet parimit ndotësi paguan”, ka thënë mes tjerash sot Kurti.
Rreth të njëjtës çështje, është deklaruar edhe vetë Pacolli, e cila tha se, një nga shtyllat e aksionit të prezantuar sot, është dhe strategjia ‘’e karotës dhe shkopit’’.
Ajo tha se kjo nënkupton se, ndaj komunave që nuk përformojnë si duhet, do të ‘’përdoret shkopi, pra ndëshkimi i rreptë financiar’’.
‘’Po lanësojmë pakon më të madhe ndonjëherë për largimin e mbeturinave. Aksion gjithëpërfshirës shtetëror. Ky program bazohet në këto shtylla; Pastrimin e hapësirave jashtë kufijve të vendbanimeve, shtimin e kapaciteve inspektuese, dhe vendosja e pakompromis e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve, si dhe strategjinë e karotës dhe shkopit për komunat. Nga sot po fillojmë me patrullime të shtuara. Në rast se zonat urbane nuk pastrohen, ne do të marrim masa më të ashpra ligjore edhe ndaj vetë institucioneve, përfshirë edhe komunat. Nga sot ne po lansojmë strategjinë e karotës dhe shkopit, që do të thotë, nëse komunat përfomojnë dhe përmbushin standardet për menaxhimin e mbeturinave ato do të mbështeten përmes një pakoje të veçantë, por në rast se komunat nuk do të përformojnë, atëherë do përdoret shkopi, pra ndëshkimi i rreptë financiar i tyre.












