Zyra e Prokurimit e Presidencës së Kosovës ka hapur tender për ofrimin e sigurimeve shëndetësore dhe të udhëtimit për ish-presidentët e Republikës së Kosovës dhe familjet e tyre, privilegje që ata vazhdojnë t’i gëzojnë edhe pas përfundimit të mandatit presidencial.
Sipas dokumentit të tenderit, sigurimi përfshin mbulim shëndetësor për deri në shtatë persona, përfshirë ish-presidentët dhe familjarët e tyre.
Në përshkrimin e kontratës thuhet se sigurimi mbulon shtrirjen dhe trajtimin spitalor deri në 100 për qind, me vlerë mbulimi deri në 100 mijë euro për person. Mbulueshmëria vlen për Kosovën dhe një numër shtetesh evropiane, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Francën, Italinë, Turqinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Tenderi parasheh edhe sigurime shëndetësore gjatë udhëtimeve jashtë vendit, përfshirë SHBA-të dhe Kanadanë, me mbulueshmëri deri në 30 mijë euro.
Po ashtu, dokumenti specifikon se sigurimet e udhëtimit do të vlejnë për periudha të ndryshme kohore, përfshirë mbulim për 10, 20 dhe 30 ditë.
Këto përfitime burojnë nga Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili u garanton ish-presidentëve një sërë privilegjesh edhe pas përfundimit të mandatit, përfshirë mbështetje financiare, staf përcjellës, sigurime dhe mbulim të shpenzimeve të caktuara zyrtare dhe personale.
Vlera totale që i ka paraparë prokurimi është 9 mijë e 900 euro.














