Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në takimin që pati sot me presidentin e Këshillit Europian i ka thënë se Kosova “ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi Costan për kontributin e Bashkimit Europian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, “mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve”.
Kurit i ka thënë presidentit të KE’së se Bashkimi Europian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.
“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat. Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal. Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.













