Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka realizuar një intervistë në sheshin e Prishtinës për emisionin Urban FM.
Gjatë intervistës, ai ka treguar se shpesh arrin të bëjë gjumë të shkurtër në xhipat e zinj me të cilët lëviz.
“Një ditë në javë flej pak më gjatë. E kam të domosdoshme me flejt 9 ose 10 orë, ndërkohë që ditëve të tjera jam plotësisht në rregull me 5 orë gjumë. Plus, mos të harrojmë, janë shumë të vlefshme ato kotjet e shkurtra në veturë, power nap (gjumë i shkurtër gjatë ditës). S’kam besuar më parë që funksionojnë, por po funksionojnë”, tha Kurti.
Ai shtoi se këto pushime të shkurtra gjatë udhëtimeve zgjasin shumë pak dhe varen edhe nga mënyra e ngasjes së shoferit.
“Power nap-et janë shumë të shkurtra sepse varen nga frenimi i shoferit, i cili, përndryshe, i jep shumë makinës. Ka frenim të fuqishëm dhe, kur ndodh frenimi i fuqishëm, është shumë me rëndësi që të mos më dalë gjumi për shkak se karrigen e truprojës përpara nuk e kam prekur me hundë”, u shpreh ai.














