Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Prizren, ku punëtori Valmir Morina ka humbur jetën gjatë zhvillimit të punimeve në një objekt banesor të kompanisë Swiss Construction Holding.
Ngjarja tragjike dyshohet se ka ndodhur si pasojë e rënies së kranit, i cili ka goditur punëtorin që ishte duke punuar në betonimin e pllakës së objektit.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë procesit të punës, nga mikseri i betonit ishte shkëputur një gyp, i cili dyshohet se e kishte goditur viktimën, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Mediat kishin raportuar dje se Valmiri ishte djali i vetëm dhe mbante familjen pas vdekjes së babait vite më parë.
Kjo ngjarje tragjike ka ndodhur dje rreth orës 09:00 të mëngjesit, por që kompania Swiss Construction Holding nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar, madje as nuk e ka ngushëlluar publikisht familjen.
Përkundrazi, rreth 6 orë pas ngjarjes tragjike, Swiss Construction Holding ka bërë një postim në faqen e saj të Facebook-ut, duke reklamuar projektin dhe me një mesazh “bashkëjeto me qetësinë”, qetësi e cila dje iu prish jo vetëm Prizrenit, por mbarë Kosovës.

Kush është Swiss Construction Holding?
Aktivitet primar i kësaj kompanie është zhvillimi i projekteve të ndërtimit. Në të dhënat e uebfaqes së tyre, thuhet se po zhvillojnë projektin “Prizreni i ri”, një kompleks banesor ky që parashihet të ketë mbi 150 mijë m2 sipërfaqe banuese, përkatësisht 860 apartamente banuese dhe 860 parkingje.
Sipas të dhënave të publikuara në ARBK, Swiss Construction Holding është kompani e themeluar në vitin 2024 nga katër aksionarë: Lika Holding Sh.P.K. me 25%, Arben Mikullovci me 25%, MMA Invest AG me 25% dhe LlD Sh.P.K. me 25%.
Lika Holding Sh.P.K. që zotëron 25% të aksioneve në Swiss Construction Holding është kompani me pronarë: Fatmir Lika, Beg Likaj, Esat Likaj, Albert Likaj dhe Ertion Axha.
Arben Mikullovci, që zotëron ¼ e Swiss Construction Holding është bashkëpronar i fabrikës së privatizuar të llamarinës Llamkos Steel Corporation L.L.C. në Vushtrri. Përveç si aksionar në disa biznese, ai njihet edhe si vëllai i Shaip Mikullovcit, pronarit të rrjetit të marketeve Interex.
MMA Invest AG del të jetë kompani e themeluar në Zvicër, ku pronari/ët nuk janë publikë në regjistrin e bizneseve të këtij shteti, përveç se shkruan se Mehmet Haxhija është anëtar i Bordit. Nga një kërkim i bërë prej Veriu.info në rrjetin e bizneseve në Zvicër, del se Mehmet Haxhija është i afërt me Fatmir Likajn, pasi në kompaninë e regjistruar në Zvicër me emrin Puls Real Estate AG, të dy figurojnë në strukturën drejtuese. Sipas të dhënave publike, Mehmet Haxhija është president/drejtues i Bordit, ndërsa Fatmir Likaj anëtar i Bordit me të drejtë nënshkrimi./Veriu.info












