Prokuroria Themelore e Prishtinës ka zgjeruar hetimet në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Sot janë arrestuar ish vjehrra, Nurije Sylaj, ish kunati Driton Sylaj dhe dy persona tjerë, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi.
Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, dyshohet se Metë Pepaj largoi me veturë nga vendi i ngjarjes Albert Sylajn dhe e transportoi në fshatin Bec, duke kryer kështu veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.
Kurse personi i dytë, Gëzim Bobi, dyshohet se e strehoi Albert Sylajn në banesën e tij në Gjakovë dhe më pas e dërgoi në Maznik.
Me këto veprime, Gëzim Bobi dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 i Kodit Penal.














