Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kryetari Xheladini ndan qindra-mijëra euro pa prokurim për shërbime, dyshime se procesi u montua në favor të OJQ-ve të caktuara

24/11/2026 - 18:01
në HULUMTIME, Kryesore, Lajme
A A
Kryetari Xheladini ndan qindra-mijëra euro pa prokurim për shërbime, dyshime se procesi u montua në favor të OJQ-ve të caktuara
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Komuna e Dragashit që udhëhiqet nga kryetari Bexhet Xheladini i LDK-së ka gjetur një metodë se si t’i japë çdo vit me qindra-mijëra euro pa tender për shërbime që do të duhej të kalonin përmes prokurimit, duke përdorur një metodë të dhënies së tyre përmes projekteve bashkëfinancuese për OJQ-të. Vetëm për vitet 2024, 2025 dhe 2026 Komuna e Dragashit i ka dhënë në total 442 mijë euro dy OJQ-ve për shërbime, që në kushte normale do të duhej të merreshin me procedura të hapura konkurruese përmes prokurimit publik.

Sikur të mos mjaftonin tri vitet e kaluara, me vendim të kryetarit Bexhet Xheladini, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është obliguar për të shpallur edhe sivjet thirrje publike për OJQ për propozime për bashkëfinancim në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sociale, kujdesit për qytetarë, kujdesit mjedisor, ambiental, agrar dhe edukim.

Në dokumentet e siguruara nga Veriu.info, ngjallen dyshime për manipulim të procesit që në ditën e nxjerrjes së këtij vendimi nga kryetari Xheladini.

Kjo pasi që Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e ka nxjerrë njoftimin për thirrje publike për propozime me bashkëfinancim para vendimit të kryetarit, që supozohej se me të e autorizonte këtë drejtori të përgatiste dhe shpallte thirrjen.

Veriu.info ka gjetur se njoftimi i nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Behar Brenolli, ka numër protokolli 27434, përderisa vendimi i kryetarit ka numër protokolli 27436. Që të dy këto dokumente janë të datës 2 nëntor 2026.

Fakti që njoftimi ka numër më të ulët të protokollit sesa vendimi i kryetarit ngre dyshime për renditjen e procedurave dhe për mundësinë që thirrja të jetë përgatitur paraprakisht.

Pra, kryetari ka nxjerrë vendim me të cilin e ka obliguar Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për përgatitjen dhe shpalljen e thirrjes. Në kushte normale, kësaj drejtorie do t’i duheshin ditë apo javë për ta përgatitur këtë thirrje me zyrtarë e komisione kompetente brenda komunës, e tek pastaj për ta shpallur, sepse vetë kryetari e ka obliguar ta përgatisë së pari.

Mirëpo, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale del se shpalljen e ka pasur të përgatitur paraprakisht, madje edhe e ka shpallur thirrjen para vendimit të kryetarit, gjë që ngre dyshime për një proces të montuar në favor të OJQ-ve të caktuara.

Nga analizimi i dokumenteve, Veriu.info ka gjetur se Komuna e Dragashit nuk e ka bërë të ditur as shumën financiare që parashikon ta japë përmes bashkëfinancimit.

Të pyetur nga Veriu.info se cila është vlera totale e buxhetit të paraparë për këtë thirrje, nga cili kod ekonomik i buxhetit komunal paguhet dhe pse vlera nuk është publikuar në thirrje, nga Zyra për Informim e Komunës së Bexhet Xheladinit kanë bërë të ditur se vlera e thirrjes është afër 120 mijë euro.

“Vlera totale e buxhetit të paraparë për këtë thirrje publike është afërsisht 120 mijë euro, dhe në Buxhetin komunal për vitin 2027 është e planifikuar në kategorinë buxhetore Subvencione dhe Transfere. Vlera nuk është publikuar në Thirrje sepse Neni 13 i Rregullores MF-Nr. 04/2017 (Kriteret e thirrjes publike dhe dokumentacioni i kërkuar) nuk e parasheh publikimin e vlerës në thirrje publike”.

Lidhur me çështjen se janë konsultuar me Zyrën e Prokurimit të Komunës ose me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për të vlerësuar nëse këto shërbime duhet të prokurohen, Komuna e Dragashit në përgjigjen e dhënë për Veriu.info ka dhënë përgjigje absurde, duke u munduar t’i ngatërrojë gjërat. Kjo pasi që thotë se në vitin 2022 janë marrë opinione për kontrata mbi vepër, gjë për të cilën nuk e kemi pyetur e as nuk ndërlidhen me temën tonë hulumtuese.

“Po, është konsultuar Zyra e Prokurimit, dhe përmes saj edhe KRPP – Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, përmes Kërkesës së Zyrës së Prokurimit të datës 26.08.2022, drejtuar në adresë të këtij Komisioni. Më datën 31.08.2022, Zyra e Prokurimit e Komunës ka pranuar opinionin e tyre, të cilën e gjeni të bashkëngjitur edhe në këtë email. Kërkesa jonë në atë kohë ka qenë në lidhje me të drejtën tonë si Komunë për të realizuar kontrata mbi vepër, sepse Opinioni i asaj kohe nga Auditori i Brendshëm dhe i Jashtëm e ndalonte realizimin e këtyre kontratave. (Në vitin 2024, Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Inspektoriati i MSh-së, ka pezulluar për 15 ditë zhvillimin e këtij projekti por, pas procedurës së ankesave, i njëjti e ka lejuar, duke i dhënë të drejtë Komunës për zhvillimin e këtij projekti.)”, thuhet në përgjigjen e Komunës, por që edhe pse thuhet që të bashkëngjitur gjeni opinionet konkrete, asnjëri prej këtyre dokumenteve nuk na është dërguar.

Dyshimet se gjithçka është punuar shkel e shko në këtë thirrje, rriten edhe më shumë kur Komuna jep përgjigje se a është bërë analizë tregu para shpalljes së thirrjes, ku thotë se nuk kanë bërë.

“Jo, nuk është bërë ndonjë analizë tregu, sepse një gjë e tillë nuk parashihet për thirrjet publike. Kjo thirrje publike bazohet në nevojat e Komunës për të marrë shërbime sa më cilësore të cilat janë në funksion të interesit publik të qytetarëve tanë. Për më tepër, siç e kemi theksuar edhe më lart, Komuna e Dragashit edhe në vitet e kaluara ka mbështetur financiarisht projekte të tilla, ka bashkëpunuar me organizata që ofrojnë shërbime të kësaj natyre dhe ka një përvojë të mirë, me rezultate konkrete në drejtim të përmirësimit të mirëqenies së përgjithshme”.

Në përgjigjen dërguar Veriu.info, Komuna e Dragashit ka treguar edhe emrat e dy OJQ-ve që i kanë marrë këto para në tri vitet e fundit. Bëhet fjalë për OJQ “Human Care” dhe OJQ “Advancing Together”.

“Për shërbime të kësaj natyre, në tri vitet e fundit nga Komuna e Dragashit kanë përfituar dy OJQ: OJQ “Human Care” dhe OJQ “Advancing Together”. Vlera financiare për vitin 2024 ka qenë 157 mijë euro; për vitin 2025 ka qenë 155 mijë euro; dhe për vitin 2026 shuma totale ka qenë 130 mijë euro. Të gjitha raportet financiare dhe narrative lidhur me realizimin e projekteve të mbështetura nga Komuna e Dragashit janë dorëzuar konform dispozitave të Rregullores në fuqi“, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Komuna nuk ka treguar se sa para ka marrë secila nga këto dy OJQ, as në cilin vit. Së bashku me rreth 120 mijë eurot e planifikuara për thirrjen e re, shuma e përgjithshme për këto shërbime arrin në rreth 562 mijë euro për katër vite.

Komuna e Dragashit këto para i quan “mbështetje financiare” për projekte të OJQ-ve. Mirëpo, në përgjigjen e saj, vetë Komuna e pranon se këtu bëhet fjalë për blerje shërbimesh.

“Duke filluar nga procedurat, blerjet e shërbimeve realizohen përmes procedurave të prokurimit, në rastin konkret përmes thirrjes publike, me ç’rast Komuna e Dragashit ofron mbështetje financiare për organizatat të cilat realizojnë projekte në të mirë të qytetarëve – interesit publik. Përveç tjerash, përmes kësaj forme të bashkëpunimit me bashkëfinancim, synohet marrja sa më kualitative e shërbimeve, duke pasur parasysh raportin çmim/cilësi“, thuhet në përgjigje.

Pra, vetë Komuna flet për “blerje shërbimesh”, për “raportin çmim/cilësi” dhe për “nevojat e Komunës për të marrë shërbime”. Kjo është gjuhë e prokurimit publik, jo e mbështetjes së projekteve të OJQ-ve. Thirrjen për OJQ, Komuna e Dragashit e paraqet si procedurë prokurimi, por pa tender dhe pa konkurrencë të hapur.

Me thirrjen e sivjetme, kompanitë e licencuara janë lënë jashtë që në fillim. Thirrja kërkon që aplikuesi “të posedojë licencë valide nga Ministria e Shëndetësisë për shërbime mjekësore”. Licencë të tillë kanë edhe ordinancat dhe kompanitë private që ofrojnë shërbime shëndetësore, por atyre nuk u lejohet të aplikojnë. Përfitues, sipas thirrjes, “do të jetë një Organizatë Jo-Qeveritare”.

Përveç kësaj, thirrja kërkon që OJQ-të aplikuese të kenë “përvojë në projekte të ngjashme të dëshmuara me kontrata dhe referenca”. Ky kusht u jep përparësi atyre që i kanë marrë këto para edhe në vitet e kaluara.

Veriu.info e pyeti Komunën e Dragashit pse janë përjashtuar ordinancat dhe shoqëritë private të licencuara nga mundësia për të konkurruar. E pyeti edhe si e pajton këtë përjashtim me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit në Ligjin për Prokurimin Publik dhe me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Asnjërës prej këtyre pyetjeve Komuna nuk iu përgjigj.

Por kjo nuk është e vetmja gjë që del në këtë proces. Thirrja për paratë e vitit 2027 është shpallur para se të ekzistojë plani vjetor për mbështetjen financiare të OJQ-ve. Këtë e pranon vetë Komuna e Dragashit.

“Planifikimi i mjeteve buxhetore për realizimin e këtij programi është bërë në Buxhetin e vitit 2027, përmes klasifikimit të saktë në kategorinë buxhetore të Subvencioneve (kjo është paraparë edhe në kuadër të Planit të Veprimit për Zbatimin e Rekomandimeve të Auditorit të Jashtëm, i cili ka rekomanduar që pagesat për projekte të tilla të bëhen përmes kategorisë buxhetore Subvencione dhe Transfere). Ndërkaq Plani Vjetor për Mbështetje Financiare për OJQ-të hartohet në fund të këtij viti për vitin pasues 2027, dhe në kuadër të atij plani do të përfshihet edhe projekti në fjalë“, thuhet në përgjigje.

Në të njëjtën përgjigje, Komuna citon nenin 6 të Rregullores MF-Nr. 04/2017. Sipas këtij neni, plani vjetor për OJQ-të përgatitet “më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës”. Pra, sipas rregullores që e citon vetë Komuna, së pari miratohet buxheti, pastaj hartohet plani, e vetëm pastaj vjen thirrja. Në Dragash, thirrja ka dalë para hartimit të Planit Vjetor për Mbështetje Financiare për OJQ-të.

Nga përgjigja e Komunës del edhe një fakt tjetër. Sipas Komunës, Auditori i Jashtëm ka rekomanduar që pagesat për projekte të tilla të bëhen nga kategoria “Subvencione dhe Transfere”.

Edhe vendimi i kryetarit Xheladini, sipas të cilit thirrja duhej të shpallej “brenda afatit ligjor”, nuk ka marrë sqarim. Të pyetur cili është ky afat dhe në cilin akt ligjor parashihet, nga Komuna nuk kanë treguar asnjë afat dhe asnjë ligj.

“Shprehja “brenda afatit ligjor”, e përdorur në Vendimin e Kryetarit të Komunës, i referohet detyrimit që procedura e përgatitjes dhe publikimit të thirrjes të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pra, formulimi në Vendim shpreh detyrimin për respektimin e afateve dhe procedurave ligjore, ndërsa afati konkret i aplikimit është përcaktuar në vetë Thirrjen publike”, thuhet në përgjigje.

Thirrja e Komunës së Dragashit nuk përmban as kriteret e vlerësimit dhe pikët me të cilat do të vlerësohen aplikuesit. Veriu.info e pyeti Komunën pse mungojnë kriteret dhe pikët, përbërja e komisionit vlerësues, formularët dhe udhëzuesi për aplikantë. Komuna u përgjigj vetëm për komisionin dhe formularët. Për kriteret dhe pikët nuk tha asnjë fjalë.

“Bazuar në Paragrafin 5, të Nenit 8 të Rregullores MF-Nr. 04/2017, “Komisioni Vlerësues themelohet gjatë kohës sa thirrja publike është e hapur dhe emrat e anëtarëve të Komisionit Vlerësues bëhen publik brenda shtatë (7) ditëve pas themelimit të Komisionit.” Ju rikujtojmë se Thirrja është ende e hapur dhe gjatë kësaj faze do të themelohet edhe Komisioni“, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Thirrja nuk është publikuar as në platformën qeveritare për financimin publik të OJQ-ve. Komuna e pranon se e ka publikuar vetëm në ueb-faqen e saj dhe në Facebook. Projekt-propozimet, sipas thirrjes, duhej të dorëzoheshin vetëm në kopje fizike, në zyrën e pranimit në Komunën e Dragashit.

“Thirrja publike është publikuar vetëm në uebfaqen zyrtare dhe në Facebook-un zyrtar të Komunës. Gjithashtu, konsiderojmë së është në kuadër të kompetencave të Komunës në cilësinë e ofrueses së mbështetjes financiare, që të caktojë “adresën dhe mënyrën e paraqitjes së aplikacionit”, thuhet në përgjigje.

Për konfliktin e interesit, Komuna e Dragashit ka dhënë vetëm një përgjigje të përgjithshme. Veriu.info e pyeti nëse janë marrë masa që asnjë zyrtar komunal ose i afërm i tyre të mos jetë i lidhur me OJQ-të aplikuese. Komuna foli vetëm për anëtarët rezervë të komisionit dhe për deklaratat që nënshkruajnë zyrtarët.

“Po, si masë për parandalimin e konfliktit të interesit merret themelimi dhe plotësimi i Komisionit Vlerësues me anëtarë rezervë, me qëllim të zëvendësimit të tyre në rast të lindjes së ndonjë konflikti të interesit përgjatë zhvillimit të procedurës së Thirrjes publike. Gjithashtu, edhe nënshkrimi i deklaratave për konfliktin e interesit nga të gjithë zyrtarët përgjegjës të cilët në çfarëdo forme përfshihen në zhvillimin e procedurave të Thirrjes publike“, thuhet në përgjigje.

Tags: Advancing TogetherBexhet XheladiniHuman CareKomuna e Dragashit

JU REKOMANDOJMË

Operacion i Policisë së Kosovës: Në pranga zyrtarë gjykatash dhe një avokat

Operacion i Policisë së Kosovës: Në pranga zyrtarë gjykatash dhe një avokat
24/11/2026 - 17:45

Policia e Kosovës ka njoftuar për operacionin e zhvilluar të martën në rajonin e Ferizajt, ku janë arrestuar katër persona, tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë,...

Më shumëDetails

Këta dy persona ndihmuan Albert Sylajn pasi vrau Arlindën, njëri e largoi nga vendi i ngjarjes kurse tjetri e strehoi

Këta dy persona ndihmuan Albert Sylajn pasi vrau Arlindën, njëri e largoi nga vendi i ngjarjes kurse tjetri e strehoi
24/11/2026 - 17:24

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka zgjeruar hetimet në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Sot janë arrestuar ish vjehrra, Nurije Sylaj, ish kunati Driton Sylaj dhe dy persona...

Më shumëDetails

E pabesueshme: Prokuroria zbulon rolin e vjehrrës në vrasjen e Arlinda Zekajt, ja ku ndodhej kur ndodhi akti i rëndë

E pabesueshme: Prokuroria zbulon rolin e vjehrrës në vrasjen e Arlinda Zekajt, ja ku ndodhej kur ndodhi akti i rëndë
24/11/2026 - 16:57

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Nën hetime janë ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ish-vjehrra Nurije Sylaj, ish-kunati...

Më shumëDetails

Pas vitesh në errësirë, Prokuroria dhe Policia në Pejë vënë në shënjestër vr’asjet e pazbardhura të pasluftës

Pas vitesh në errësirë, Prokuroria dhe Policia në Pejë vënë në shënjestër vr’asjet e pazbardhura të pasluftës
24/11/2026 - 16:15

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia Rajonale kanë zhvilluar një takim ku temë kryesore ishte zbardhja e vrasjeve të pazgjidhura të pasluftës, të kryera në territorin që mbulohet...

Më shumëDetails

Mbrojtja e Thaçit nuk pajtohet me mënyrën se si Haga e llogariti paraburgimin për ish-presidentin: Do ta apelojmë

Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burgim
24/11/2026 - 15:53

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e Gjykatës Speciale lidhur me mënyrën e llogaritjes së dënimit prej 17 muajsh burgim, të shqiptuar...

Më shumëDetails

Ish-deputetë dhe mbështetës të VV-së: Kush janë 5 ambasadorët e rinj që u propozuan nga Qeveria Kurti?

Ish-deputetë dhe mbështetës të VV-së: Kush janë 5 ambasadorët e rinj që u propozuan nga Qeveria Kurti?
24/11/2026 - 15:26

Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka propozuar emërimin e pesë ambasadorëve politik. Emrat e propozuar për ambasador në Belgjikë, Kroaci, Kanada, Japoni dhe Senegal...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • E pabesueshme: Prokuroria zbulon rolin e vjehrrës në vrasjen e Arlinda Zekajt, ja ku ndodhej kur ndodhi akti i rëndë

    E pabesueshme: Prokuroria zbulon rolin e vjehrrës në vrasjen e Arlinda Zekajt, ja ku ndodhej kur ndodhi akti i rëndë

    103 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Skandal: Pacienti përfundoi në QKSUK pas trajtimit prej 8.500 eurosh, ankesa zbuloi se AM Dental Clinic vendoste implante pa licencë (Dokument)

    229 Shpërndaje
    Shpërndaje 92 Tweet 57
  • Ndodh edhe kjo: Djali i ish-zëvendëskomandantit braktis policinë, përmend arsyen

    87 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • “Albini i vogël” merr një pozitë diplomatike, emërohet ambasador i Kosovës në Japoni

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • “Hajde me mu në kombi”, 21-vjeçarja raporton rrëmbimin dhe abuzimin seksual në Mitrovicë

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë