Bordi Drejtues i SHSKUK-së ka sqaruar se vendimi për vazhdimin e kontratës së drejtorit të përgjithshëm, Elvir Azizi, është bazuar ekskluzivisht në rezultatet e periudhës 2023–2025 dhe në nevojën për stabilitet institucional.
Ky reagim vjen pas raportimeve në media që Azizi ishte bashkëpunëtor i afërt të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sipas komunikatës zyrtare, gjatë këtij mandati është shënuar rritje e numrit të operimeve, hospitalizimeve, vizitave dhe ekzaminimeve CT e MRI. Po ashtu, përmendet realizimi i projekteve si Cath Lab-i në Prizren, investimet në Mjekësinë Nukleare, zgjerimi i Kardiokirurgjisë dhe zhvillimi i programit IVF në sektorin publik.
Ndonëse Bordi ka pranuar se sistemi përballet ende me sfida si listat e pritjes, mungesa e materialeve dhe nevoja për personel e investime, ai ka theksuar se qëllimi i zgjatjes së mandatit është sigurimi i vazhdimësisë së reformave të nisura.














