Ka nisur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë paraqitur tre të akuzuarit, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të cilët para trupit gjykues janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u ngarkohen.
Të tre të akuzuarit kanë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat penale të përfshira në aktakuzë.
“E kam kuptuar aktakuzën dhe nuk ndihem fajtor për veprën e cila më vihet në barrë. I kam kuptuar veprat për të cilat akuzohem, nuk ndihem fajtor”, janë shprehur të akuzuarit.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, gjatë fjalës hyrëse ka paraqitur pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të provohet se të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, kanë kryer sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
“Do të vërtetohet se tre të akuzuarit bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ushtarak, rreth 20 kg TNT, në kanalin e Ibër-Lepencit, duke shkaktuar dëmtime të rënda materiale, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe duke rrezikuar seriozisht furnizimin me energji elektrike në nivel vendi”, ka thënë Kodraliu.
Sipas prokurorit, gjatë kontrolleve në pronat e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar armë, municione, granata, mjete ushtarake komunikimi, uniforma dhe pajisje të tjera.
“Gjatë kontrolleve të realizuara në pronat e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar sasi e madhe e armëve, municione, granata dhe mjete ushtarake të komunikimit, uniforma ushtarake dhe pajisje tjera, posedimi i të cilave ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi, ku për rrjedhojë akuzohen për armëmbajtje pa leje”, ka deklaruar prokurori.
Kodraliu ka folur edhe për akuzën ndaj Jovan Viqentijeviqit, duke pretenduar se provat e mbledhura gjatë hetimeve do të dëshmojnë për veprimtarinë e tij të dyshuar në interes të shërbimit inteligjent ushtarak serb.
“Jovani gjatë provave të mbledhura gjatë hetimit do të dëshmohet se i njëjti për një periudhë të caktuar kohore e deri në arrestimin e tij ka vepruar në dobi të shërbimit inteligjent ushtarak serb dhe atë duke mbledhur, transmetuar informacione, dokumente të karakterit të ndjeshëm të sigurisë që drejtpërdrejt kërcënuan rendin dhe sigurinë kombëtare, për këtë arsye edhe akuzohet për veprën penale spiunazh”, ka thënë Kodraliu.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë procesit gjyqësor do të paraqesë një sërë provash, përfshirë raportet e Policisë së Kosovës, raportet e teknikës kriminalistike, ekspertizat e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, analizat e ADN-së, ekspertizat e Byrosë Federale të Hetimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FBI), ekspertiza shkencore nga Italia, raporte për analizimin e eksplozivëve, përfshirë edhe ato të KFOR-it amerikan, analizat e pajisjeve elektronike, dëshmitë materiale dhe dokumentacionin e siguruar gjatë kontrolleve.
“Provat që do të paraqiten gjatë shqyrtimit gjyqësor përbëhen nga raportet e Policisë së Kosovës, raportet e teknikës kriminalistike, ekspertizat e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, analizat e ADN-së, ekspertiza e Byrosë Federale të SHBA-së, ekspertiza shkencore të Italisë, raportet e organeve kompetente të analizave të eksplozivëve duke përfshirë edhe ato të KFOR-it amerikan, analizat e pajisjeve elektronike, dëshmitë materiale, dokumentacioni i siguruar nga kontrollet si dhe provat e tjera që në tërësi krijojnë një zinxhir logjik të pandërprerë dhe të ndërlidhur me faktet e paraqitura në aktakuzë”, ka deklaruar prokurori.
Sipas Kodraliut, Prokuroria do të tentojë të dëshmojë se sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit nuk ishte veprim spontan apo i izoluar, por pjesë e një aktiviteti të organizuar dhe të planifikuar.
“Prokuroria do të provojë se ky sulm nuk ishte veprim spontan apo i izoluar, por pjesë e një veprimtarie të organizuar dhe planifikuar e koordinuar mirë, me të vetmin qëllim që të cënojë infrastrukturën kritike dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka thënë Kodraliu.
Ai ka shtuar se provat do të paraqesin, sipas vlerësimit të Prokurorisë, një lidhje me sulme të tjera ndaj rendit juridik dhe sigurisë së Kosovës.
“Prokuroria para jush do të paraqesë prova që sipas vlerësimit tonë tregojnë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit është vazhdimësi e serisë së sulmeve të rënda që në tre vitet e fundit kanë pasur cënimin e rendit juridik dhe sigurisë kombëtare”, ka deklaruar prokurori.
Gjithashtu, Kodraliu ka përmendur edhe pretendimet e Prokurorisë për trajnimet dhe përgatitjet që, sipas tij, janë zhvilluar në një poligon ushtarak pranë kufirit me Serbinë.
“Prova në lidhje me trajnimet dhe përgatitjet që sipas provave janë zhvilluar në poligonin ushtarak i quajtur ‘Livadhet e Pasulit’ në kufi me Serbinë, që tash dyshohet se ka varrezë masive. Krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të aktiviteteve të kundërligjshme ndaj shtetit të Kosovës”, ka thënë Kodraliu.
Në fund, prokurori ka pretenduar se provat e paraqitura do të dëshmojnë për një rol të institucioneve të Serbisë në këto përgatitje.
“Vërtetohet se qeveria e Serbisë ka pasur një rol kyç në këto përgatitje”, ka thënë Kodraliu.
Prokurori Bekim Kodraliu, tutje duke folur për provat që pritet të paraqiten gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka përmendur edhe analizat e ekspertëve të FBI-së për mostrat e dheut dhe baltës të marra nga çizmet e të pandehurve. Sipas tij, këto analiza janë krahasuar me mostrat e marra nga vendi i ngjarjes dhe lokacione të tjera.
“Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha. Ato janë krahasuar me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në tri vende të ndryshme, me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës të gjetur në çizmet e të pandehurve”, ka thënë Kodraliu.












