Zyra e Kryeministrit ka lajmëruar për takimin që pati kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me kryetarin e PDK’së, Bedri Hamza, sot paradite.
ZKM tha se ky takim erdhi në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Më pas Zyra e Kurtit ndau pak nga deklarimet e tij që dha për gazetarët pas takimit me Hamzën, duke i veçuar disa nga mesazhet që ZKM i zgjodhi si më kryesoret.
“Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti ka deklaruar se diskutimi me kryetarin e PDK-së ishte konstruktiv ndonëse nuk pati rezultat konkret. “Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotëroj edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vazhdoj të mbizotërojë”, ka thënë ai.
Më pas ZKM ndau pjesën ku Kurti i prezantoi kriteret e Vetëvendosjes për Presidentin.
“Kryeministri Kurti ka deklaruar po ashtu se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i asnjë partie dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit”.
Në kuadër të konsultimeve, kryeministri në detyrë Kurti pasdite do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përfundoi njoftimin Zyra e Kryeministrit.












