Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u pyet nëse do t’ia japin pozitën e Presidentit kandidates për presidente të LDK;së, Vjosa Osmani, pas takimit që pati me të e kreun e LDK’së, Lumir Abdixhiku.
A jeni të gatshëm t’ia jepni Osmanit pozitën e Presidentes apo insistoni për President konsensual edhe në takimin me Abdixhikun – u pyet Kurti nga gazetarët.
Por, ai tha se duhet të mendojnë strategjikisht që të jenë numrat maksimalë në Kuvend kur të vijë zgjedhja e Presidentit.
“Besojmë që fryma e germa e Kushtetutës është për President që është shprehje e unitetit të popullit dhe që në këtë kuptim duhet të jetë konsensual. Jemi të interesuar që ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që qëndrojnë në sallë. Sepse e keni parasysh, ne mund të zgjedhim ndonjë emër të përveçëm, e kishim së fundmi Glauk Konjufcën, pastaj edhe doktoreshën Feride Rushiti, por numri 80, që është minimumi, është vështirë i arritshëm, prandaj përqendrimi ynë s’ka qenë tash te emrat e përveçëm për President, por për koncept e parime dhe vizionin përpara në njërën anë dhe në anën tjetër, a thua se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve që duhet të kalojnë ose së paku të jenë 2/3 kur të vijë dita e zgjedhjes së Presidentit”.
Para se vendi të shkonte në zgjedhje, Osmani kishte bërë të qarta ambiciet e saj për një mandat të dytë në krye të shtetit, por partia e Kurtit s’e kishte mbështetur.
Ajo garoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme si kandidate e LDK’së për Presidente.













