Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Reuters zbardh dosjet e Zvërnecit: Artur Shehu dyshohet për falsifikim pronësie

11/07/2026 - 14:05
në Kryesore, Lajme
A A
Reuters zbardh dosjet e Zvërnecit: Artur Shehu dyshohet për falsifikim pronësie
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Një biznesmen me bazë në Miami, ndaj të cilit në Shqipëri rëndon një kërkesë për pastrim parash nga droga, dyshohet se ka manipuluar dokumentet e pronësisë së tokës ku Jared Kushner synon të ndërtojë një resort shumë miliardësh, sipas dosjeve të çështjes të shqyrtuara nga Reuters dhe të cituara nga agjencia shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar.

Biznesmeni, Artur Shehu, i hedh poshtë të gjitha akuzat, tha avokati i tij Kujtim Cakrani, i cili konfirmoi se prokurorët shqiptarë kanë lëshuar një urdhër-arresti për ndalimin e Shehut me dyshimin e pastrimit të parave për grupet e drogës.

Sipas dosjeve, Shehu dhe njerëz të lidhur me të akuzohen për trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt porteve europiane dhe për pastrimin e fitimeve përmes investimeve në një perandori të pasurive të paluajtshme, ku përfshihen edhe dokumente të falsifikuara pronësie.

“Asgjë që është pretenduar për karakterin e z. Artur Shehu nuk qëndron. Ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues i dokumenteve të pronës”, deklaroi Cakrani.

Ai shtoi: “Z. Shehu është në dijeni të akuzave të ngritura nga prokuroria shqiptare. Këto akuza nuk e shqetësojnë, sepse ai thotë se e vërteta është krejt tjetër nga ajo që pretendon prokuroria”.

Një përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së nuk pranoi të komentojë nëse kishte mbërritur ndonjë kërkesë nga Shqipëria për të gjetur apo ndaluar Shehun në Miami.

Në prill, Shehu i shiti rripin e paprekur bregdetar shqiptar Albania Land Development, kompani në pronësi të zhvilluesve të projektit të mbështetur nga Kushner, Sazan Real Estate Development, si edhe investitorëve të tjerë.

“Mbi bazën e provave lindin dyshime të arsyeshme se pasuritë në fjalë janë siguruar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”, shkruajnë prokurorët në dosje.

Aty nuk ngrihet asnjë akuzë për shkelje ndaj dhëndrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, as ndaj Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorëve të tjerë të përfshirë në projekt.

Reuters nuk gjeti asnjë tregues se ndonjë investitor kishte qenë në dijeni të ndonjë dyshimi për Shehun kur bleu tokën prej tij. Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development nuk iu përgjigj akuzave ndaj Shehut kur Reuters kërkoi koment, por theksoi se kompania besonte që blerjet e tokës ishin të ligjshme.

Albania Land Development nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Edhe zëdhënësi i Kushner refuzoi të komentonte për këtë çështje. Ndërkohë, Sazan ka konfirmuar se Kushner është investitor në projekt, por roli i saktë i tij dhe masa e investimit nuk janë bërë publike.

PROJEKTI NË TOKË SHTETËRORE NË QENDËR TË KUNDËRSHTIVE

Pretendimi se aktet mund të jenë falsifikuar i shton një tjetër problem projektit të profilit të lartë, i cili tashmë përballet me protesta të mëdha për shkak të akuzave se rrezikon faunën dhe florën.
Banorët e fshatit Zvërnec, pranë zonës së projektit, e kanë kundërshtuar pretendimin e Shehut për tokën përmes proceseve gjyqësore që datojnë prej më shumë se një dekade.

Muajin e kaluar, një grup prej një duzine banorësh i paraqiti Reuters aktet e pronësisë dhe dokumentet tatimore, që sipas tyre provojnë se ata janë pronarët e ligjshëm të tokës. Avokati i tyre, Kostandin Beko, deklaroi se çështja mbetet e hapur dhe se ata synojnë të kërkojnë një vendim gjykate për ta ndalur projektin e resortit.

Shqipëria, dikur ndër vendet më të varfra dhe më të izoluara të Europës, është sot kandidate për anëtarësim në BE dhe po përjeton një vrull ndërtimesh përgjatë disa prej vijave të fundit të paprekura bregdetare të kontinentit në Detin Adriatik. Resorti i mbështetur nga Kushner është parashikuar në një brez me plazhe të egra, pyje dhe një kënetë ku jetojnë breshkat e detit dhe flamingot. Pikërisht zogjtë janë kthyer në simbol të kundërshtarëve të projektit, të cilët protestat e tyre i kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”.

Bashkëshortja e Kushnerit, Ivanka Trump, ka thënë se ideja për resortin lindi për çiftin kur panë bregdetin nga një jaht vite më parë. Në vitin 2024, Kushner i bëri publike planet në rrjetet sociale me një vizatim artistik që shfaqte tokën të transformuar me hotel, vila, pishina dhe skela për jahte. Ai nuk ka bërë të ditur publikisht shumën e investuar. Qeveria shqiptare i ka mbështetur fuqishëm planet dhe pretendon se protestat janë organizuar nga kundërshtarët e saj politikë.

Kryeministri Edi Rama i tha Reuters muajin e kaluar se projekti ishte “i bukur” dhe do të vazhdonte pavarësisht kundërshtimeve. I pyetur për akuzat në dosjet ndaj Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se ekzekutivi nuk do të ndërhynte në transaksione private, por theksoi se projekti po ecën në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të BE-së. Më herët, Brukseli i ka kërkuar Shqipërisë, si vend kandidat për në BE, të respektojë rregullat mjedisore të Bashkimit Europian lidhur me këtë projekt. Një zëdhënës i Komisionit Europian nuk dha komente shtesë.

PROKURORËT SHQIPTARË HEDHIN Dritë MBI ÇËSHTJEN

Dosjet ndaj Shehut janë përgatitur nga Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, SPAK, e krijuar në vitin 2019 për të luftuar korrupsionin me hetues dhe prokurorë të pavarur nga policia dhe prokuroria e zakonshme. Materiali përbëhet nga 200 faqe dhe nuk është bërë publik. I pyetur për dosjet, një zëdhënës i agjencisë konfirmoi se SPAK po e heton çështjen, por nuk dha më shumë hollësi. Dokumentet mbajnë datën 12 qershor 2026. Po atë ditë, SPAK shpalli publikisht edhe urdhër-arreste për 20 persona për trafik narkotikësh dhe pastrim të parave të përfituara prej tij.

Ndryshe nga dosjet, ku Shehu dhe figura të tjera përmenden me emër, urdhër-arrestet i identifikojnë të dyshuarit vetëm me iniciale, sipas praktikës standarde në Shqipëri, ku emrat nuk bëhen publikë përpara akuzimit. Inicialet në urdhër-arreste përputhen me emrat e plotë të personave të përshkruar në dosje, përfshirë edhe një të dyshuar të identifikuar si “A.Sh.”. Avokati i Shehut, Cakrani, duke pranuar se Shehu ishte një objektiv, tha se nuk ishte i shqetësuar nga urdhër-arresti, pasi “besohej gjerësisht” se prokurorët shqiptarë vepronin nën ndikimin e politikanëve dhe figurave të biznesit.

SPAK nuk ka bërë të ditur nëse ndonjë prej 20 të dyshuarve është arrestuar apo akuzuar më pas.

SHQIPTARI QË JETON NË MIAMI

Sipas dokumenteve të SPAK, Shehu e shiti tokën për projektin e resortit për rreth 110 milionë euro, fonde që sipas tij u urdhërua të mbaheshin në llogarinë e një noteri, duke bërë që paratë të mos shkonin te Shehu. Në dosje thuhet se Shehu dhe bashkëpunëtorët “blenë tokë duke përdorur fonde të fituara në mënyrë të paligjshme dhe falsifikuan dokumente pronësie duke krijuar tituj të rremë pronësie ose duke rritur artificialisht sipërfaqen e pronave”.

“Pronat më pas u transferuan ose shkëmbyen në mënyrë që të mos gjurmoheshin lehtësisht nga autoritetet”. Një zëdhënës i Sazan Real Estate Development tha: “Ne vazhdojmë të besojmë se blerjet themelore të tokës janë kryer ligjërisht dhe në përputhje me procedurat në fuqi. Si gjithmonë, ne respektojmë dhe do të bashkëpunojmë me çdo proces të ligjshëm, sipas nevojës”.

Reuters kërkoi nga zëdhënësi sqarime pse kompania mendonte se blerjet e tokës ishin të ligjshme, duke marrë parasysh akuzat e prokurorëve kundër Shehut, por nuk mori përgjigje tjetër. Avokati i Shehut, Cakrani, i tha Reuters se familja e Shehut e kishte zotëruar tokën që nga koha e Perandorisë Osmane, më shumë se 100 vjet më parë, dhe se Shehu ua kishte shitur atë ligjërisht investitorëve të resortit. Cakrani e përshkroi Shehun si një qytetar të ndershëm që kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara në vitin 1998 pasi “bandat kriminale” vranë vëllain dhe xhaxhain e tij para syve të tij. Reuters nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

JU REKOMANDOJMË

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’
01/09/2026 - 22:54

Gani Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik ku gjashtë deputetë të kësaj partie vendosëm mos t’a mbështesin Bekim...

Më shumëDetails

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë
01/09/2026 - 22:46

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Ai foli edhe për gjashtë deputetët e LDK-së që deklaruan se...

Më shumëDetails

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë
01/09/2026 - 22:36

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Kurti tha se marrëveshja me LDK-në është e vlefshme,...

Më shumëDetails

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant
01/09/2026 - 22:23

Gazetari Baton Haxhiu, ka lëshuar Kritika të ashpra ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Haxhiu ka thënë se është lajm i keq për Kosovën që nuk po formohen...

Më shumëDetails

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë
01/09/2026 - 22:13

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirëShare Button Gazeta Blic Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku,...

Më shumëDetails

Sejdiu: Kurti e ka ditur se në LDK do të ketë deputetë që s’votojnë për president

Ish-nënkryetari i VV-së: Në vend është instaluar një politikë e frikës
01/09/2026 - 22:01

Opinionisti Dardan Sejdiu, ka folur për debatin brenda LDK-së dhe kundërshtimet e disa deputetëve të saj për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sjediut për kryetar të shtetit. Ai...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    176 Shpërndaje
    Shpërndaje 70 Tweet 44
  • A do ta votojë Bekim Sejdiun? Flet Hykmete Bajrami

    124 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 31
  • Ekskluzive: Bajrami, Hoti, Shala, Haziri e Zemaj nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të LDK-së

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • “Kamera në maicë e dëgjuese në vesh”, dyshohet se merrnin ryshfet për kalimin e testit të patentë-shoferit, kërkohet paraburgim për tre persona

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë 18 deputetët e LDK-së në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës

    192 Shpërndaje
    Shpërndaje 77 Tweet 48

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë