Sonte në mbrëmje, në “Hard Rock Stadium” të Majamit, Anglia dhe Norvegjia përplasin ambiciet për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026.
Është një duel historik, pasi dy kombëtaret ndeshen për herë të parë në një fazë finale të Botërorit. “Tre Luanët” vijnë pas suksesit spektakolar 3-2 ndaj Meksikës, në një ndeshje ku Jude Bellingham ishte protagonist me dy gola, ndërsa Harry Kane vulosi kualifikimin nga pika e bardhë. Megjithatë, anglezët do të duhet të bëjnë pa mbrojtësin Jarrell Quansah, i pezulluar pas kartonit të kuq.
Në krahun tjetër është surpriza më e madhe e këtij Botërori. Norvegjia eliminoi pesë herë kampionët e botës, Brazilin, falë dopietës së Erling Haaland, duke arritur për herë të parë në histori në një çerekfinale të një turneu të madh.
Historia favorizon Anglinë, që në 11 përballje numëron gjashtë fitore, kundrejt vetëm dy sukseseve të norvegjezëve. Edhe takimi i fundit, në vitin 2014, u fitua nga anglezët me golin e Wayne Rooney. Por sytë sonte do të jenë mbi dy bomberët. Erling Haaland ka shënuar në çdo ndeshje të Norvegjisë në këtë Kupë Bote dhe kryeson garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa Harry Kane ka realizuar gjashtë gola në turne, duke konfirmuar edhe një herë statusin e liderit të Anglisë në ndeshjet me eliminim direkt.
Anglia, e katërta në renditjen botërore dhe e pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit, konsiderohet favorite. Por Norvegjia ka treguar se nuk njeh frikë dhe pas eliminimit të Brazilit beson se mund të vazhdojë të shkruajë historinë edhe përballë anglezëve.












