Futbollistët e Argjentinës janë kritikuar ashpër për sjelljen gjatë ceremonisë së ndarjes së trofeut, pasi u larguan në anën tjetër të fushës dhe nuk e ndoqën festën e Spanjës pas finales së Kupës së Botës.
Pas humbjes së dhimbshme 1-0 në vazhdime, Lionel Messi dhe bashkëlojtarët e tij u akuzuan për mungesë respekti ndaj kampionëve të rinj, ndërsa tifozët argjentinas kënduan emrin e kapitenit të tyre gjatë momentit kur Rodri po merrte “Topin e Artë”.
Tensione pas finales dramatike
Spanja siguroi fitoren 1-0 falë golit të Ferran Torresit në vazhdime, por minutat e fundit dhe skenat pas ndeshjes u shoqëruan me tension të madh.
Zhgënjimi i futbollistëve argjentinas shpërtheu pas vërshëllimës së fundit. Leandro Paredes u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me Eric Garcian dhe Gavin.
Situata e tensionuar vazhdoi edhe gjatë ceremonisë së medaljeve.
Futbollistët e Spanjës formuan një korridor nderi për Messin dhe bashkëlojtarët e tij, teksa ata dolën për t’i marrë medaljet e argjendta. Megjithatë, Argjentina nuk e ktheu të njëjtin gjest.
Në vend që të qëndronin për ceremoninë e kampionëve, futbollistët argjentinas u zhvendosën në skajin tjetër të fushës, ndërsa Spanja përgatitej ta ngrinte trofeun.

Këngë për Messin gjatë çmimit të Rodrit
Një tjetër moment që nxiti reagime erdhi kur Rodri u ngjit në podium për ta marrë “Topin e Artë” si futbollisti më i mirë i turneut.
Në ato çaste, nga tribunat u dëgjuan thirrje me emrin e Messit dhe këngë në mbështetje të Argjentinës.
Këto veprime shkaktuan kritika të forta pas finales, ndërsa sjellja e skuadrës dhe tifozëve argjentinas u bë një nga temat kryesore të diskutimit, krahas triumfit historik të Spanjës.
Analisti i “talkSPORT”, Adrian Durham, ishte veçanërisht i ashpër në vlerësimin e tij.
“Nuk treguan aspak klas. Sjellja e tyre ishte tronditëse dhe një turp i plotë”, deklaroi ai.
“Tifozët mendojmë se ishin të shkëlqyer gjatë turneut, por edhe gjatë ngritjes së trofeut, si dhe kur Rodri mori çmimin e lojtarit më të mirë, ata këndonin emrin e Messit dhe të Argjentinës.”
“Ata thjesht nuk mund ta pranojnë se Argjentina u mposht në finalen e Kupës së Botës”, shtoi Durham.
Vihen në pikëpyetje edhe rruga drejt finales
Durham kritikoi gjithashtu ecurinë e Argjentinës në turne, duke pretenduar se skuadra e Lionel Scalonit kishte përfituar nga rrethana të favorshme dhe vendime që i kishin shkuar në favor.
“Argjentina ishte një turp për lojën dhe për Kupën e Botës. Në fakt, me përjashtim të atyre 20 minutave kundër Anglisë, ka qenë e tillë gjatë gjithë turneut”, u shpreh ai.
Sipas analistit britanik, Argjentina kishte qenë pjesë e një grupi të lehtë, kishte hasur vështirësi në fazën me eliminim direkt dhe kishte përfituar nga gabimet e kundërshtarëve.
Ai përmendi fitoren e vështirë ndaj Kepit të Gjelbër, ndeshjen kundër Egjiptit dhe kartonin e kuq të panevojshëm të Zvicrës në çerekfinale.
“Anglia ishte më e mirë në gjysmëfinale, por ia dhuroi ndeshjen Argjentinës. Pastaj ata erdhën në finale dhe e turpëruan veten”, deklaroi Durham.
“Duhet ta pranojmë se Argjentina ka përfituar nga një numër i jashtëzakonshëm vendimesh gjatë këtij turneu.”

Argjentina mund të përballet me masa disiplinore
Sjellja e futbollistëve argjentinas pas finales pritet të shqyrtohet nga organet disiplinore të FIFA-s.
Përleshjet pas ndeshjes, përjashtimi i Paredesit dhe incidentet e tjera gjatë turneut mund të sjellin masa ndëshkuese për disa lojtarë.
Polemikat e finales, të kombinuara me çështjen e mëhershme të pankartës për Ishujt Falkland, bëjnë që vëmendja pas turneut të mbetet e përqendruar jo vetëm te rrugëtimi i Argjentinës deri në finale, por edhe te sjellja e saj brenda dhe jashtë fushës. /GazertaExpress/












