Spanja dhe Portugalia janë të gatshme të heqin dorë nga bashkëorganizimi i Kupës së Botës 2030, nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk tërhiqet nga plani i tij për privatizimin e të drejtave komerciale të turneut.
Infantino ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit pasi prezantoi projektin për krijimin e një kompanie të re, FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes së cilës synon të ftojë investitorë privatë që të blejnë aksione minoritare në aktivitetet komerciale dhe organizative të FIFA-s.
Kompania e re vlerësohet se mund të ketë një vlerë prej rreth 15 miliardë funtesh, ndërsa FIFA synon të sigurojë më shumë se 20 miliardë dollarë përmes investimeve private.
Grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane “Thrive Capital”, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të dhëndrit të Donald Trump.
Për të siguruar mbështetje për këtë projekt, Infantino u ka premtuar çdo federate anëtare që do ta votonte iniciativën një pagesë prej 30 milionë funtesh deri më 19 shtator.
Megjithatë, plani i presidentit të FIFA-s është përballur me kundërshtime të mëdha nga shumë struktura të futbollit ndërkombëtar.
UEFA ka reaguar ashpër dhe ka paralajmëruar se 55 federatat e saj janë të gatshme ta bojkotojnë Kupën e Botës nëse projekti miratohet.
Kundër propozimit kanë dalë edhe Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), si dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), duke bërë që numri i federatave që nuk e mbështesin këtë ide të kalojë shifrën 100.
Një goditje tjetër për Infantinon ka ardhur edhe nga brenda FIFA-s, pasi këshilltari i tij i lartë, Carlos Cordeiro, ka dhënë dorëheqjen duke e cilësuar projektin si “një marrëveshje të keqe për futbollin”.
Qëndrimi i Cordeiros konsiderohet veçanërisht domethënës, pasi tregon se edhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit të FIFA-s nuk e mbështet këtë iniciativë.
Spanja, Portugalia dhe Maroku janë planifikuar të organizojnë Kupën e Botës 2030, ndërsa nga një ndeshje do të zhvillohet edhe në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, në kuadër të 100-vjetorit të turneut.
Ndërkohë, FIFA po synon gjithashtu zgjerimin e Botërorit të vitit 2030 në 64 kombëtare, pasi edicioni i vitit 2026 u zgjerua nga 32 në 48 skuadra.
Megjithatë, sipas raportimit të “El Español”, organizimi i Kupës së Botës 2030 tashmë ndodhet në “rrezik serioz” për shkak të planit të Infantinos për shfrytëzimin komercial të të drejtave të turneut.
“Asnjë kombëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë kompeticion të FIFA-s për sa kohë që këto propozime mbeten në fuqi”, ka deklaruar presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Duke mbështetur plotësisht qëndrimin e UEFA-s, Spanja dhe Portugalia po lënë të kuptohet se janë të gatshme jo vetëm të mos marrin pjesë në garat e FIFA-s, por edhe të heqin dorë nga organizimi i Kupës së Botës 2030.
Situata mbetet më e paqartë për Marokun.
Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), ndryshe nga UEFA, AFC dhe CONCACAF, nuk e ka refuzuar menjëherë projektin, por ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë një mbledhje të brendshme për të shqyrtuar dhe vlerësuar propozimin e FIFA Forward Enterprise.
Ky qëndrim lë ende hapësirë për negociata me FIFA-n, ndërsa kundërshtimi i hapur i Spanjës dhe Portugalisë e vë edhe më shumë në pikëpyetje zhvillimin normal të Kupës së Botës 2030.












